SHBA/ Tavani i borxhit, sfida më e afërt dhe e nxehtë mes republikanëve e demokratëve

11 Janar 2023, 22:45| Përditesimi: 11 Janar 2023, 22:48

  • Share

Brenda këtij muaji qeveria federale pritet të arrijë kuotën maksimale prej 31,4 trilionë dollarë të borxhit që i lejohet të marrë. Që të arrijë të funksionojë, qeveria ka nevojë që Kongresi të miratojë një ligj për ngritjen e tavanit të borxhit. Kjo pritet të shkaktojë përplasjeje mes Presidentit demokrat Joe Biden dhe Dhomës së Përfaqësuesve, të drejtuar nga republikanët. Ngritja e tavanit të borxhit do të jetë prova e parë e funksionimit të qeverisjes tashmë të ndarë në Uashington.

Kufiri maksimal i borxhit pritet të arrihet në javët në vazhdim. Pa miratimin e ligjit nga Kongresi Departamenti i Thesarit mund të verë në zbatim përkohësisht disa masa të jashtëzakonshme që qeveria të respektojë detyrimet e saj financiare. Por kur këto masa të skadojnë qeveria mund të përballet për herë të parë në histori me pamundësinë për të paguar detyrimet e saj financiare.

Përballja e pritshme mbi kufirin e borxhit do të përbënte sfidën e parë për zotin Biden dhe demokratët, të cilët para zgjedhjeve të nëntorit gëzonin kontrollin e plotë të pushtetit në Uashington. Po kështu kjo çështje do të shërbente si një tregues edhe për sfidat e tjera që i presin demokratët, për të arritur qoftë dhe ambiciet e tyre më modeste legjislative në një Kongres tashmë të ndarë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do të lejojë që borxhi të kthehet në peng të ligjvënësve republikanë. Por lëshimet që bëri kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve për të siguruar këtë post, vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të arritur një marrëveshje, në rast se dy palët nuk do bien dakord.

Zoti McCarthy arriti të siguronte këtë detyrë pas 15 raundesh votimi e falë lëshimesh të mëdha që u bëri ligjvënësve republikanë të linjës së ashpër. Këta të fundit kanë deklaruar se do të bien dakord të rrisin tavanin e boxhit publik, vetëm nëse do të ketë shkurtim të shpenzimeve qeveritare, por pa përcaktuar se për sa bëhet fjalë. Pjesë e lëshimeve që iu desh të bënte zoti McCarthy ishte edhe një rregull i ri, që i mundëson qoftë edhe një ligjvënës të vetëm të nisë procedurat për shkarkimin e tij nga detyra, çka mund ta komplikonte edhe më tej situatën. Zoti McCarthy tha se kishte biseduar me presidentin Biden për tavanin e ri të borxhur dhe se i kishte thënë atij se “nuk duhet arritur deri në atë pikë”, duke nënkuptuar mbylljen e qeverisë.

“Është momenti për të ndryshuar sjellje”, tha zoti McCarthy të martën në televizionin Fox News.

Megjithatë kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve foli shumë shkurt mbi mundësinë që republikanët të refuzojnë miratimin e ligjit vjetor të nevojshëm për financimin e qeverisë, sikurse ndodhi një dekadë më parë. Rreziqet janë të paparashikueshme. Mospagimi i borxheve mund ta çojë vendin në një ulje të thellë ekonomike, teksa Shtetet e Bashkuara dhe mbarë bota përballen me nivel të lartë të inflacionit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

"Kongresi do të duhet të rrisë kufirin e borxhit pa kushte, është kaq e thjeshtë", tha së fundmi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Përpjekjet për të ushtruar trysni nuk do të funksionojnë. Nuk do të ketë pengmarrje”, shtoi ajo.

Ligjvënësi republikan i Teksasit Chip Roy, një mbështetës i zotit McCarthy dhe kritik ndaj shpenzimeve qeveritare nuk përjashtoi mundësinë e një kërkesë për shkarkimin e zotit McCarthy nëse ai dështonte të mbante premtimin për të kërkuar shkurtim të shpenzimeve dhe uljen e tavanit të borxhit.

“Do të përdorim mjetet që na ofron Dhoma e Përfaqësuesve për të forcuar termat e marrëveshjes që u bë”, tha zoti Roy për CNN të dielën.

Ligjvënësi Bob Good tha në Fox News të hënën se kufiri i borxhit do të jetë testi i vertetë për republikanët. Çdo përpjekje për të bërë kompromis me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve mund ta detyrojë Presidentin Biden të rishikojë përparësitë e tij, që nga fondi i të ardhurave të brendshme deri tek paketat në mbështetje të fëmijëve apo të varfërve./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?