SHBA/ Presidenti Biden anulon 153 mijë kredi studentore

22 Shkurt, 13:07| Përditesimi: 22 Shkurt, 15:17

  • Share

Presidenti Joe Biden njoftoi se po anulonte kreditë studentore për gati 153 mijë persona. “Megjithëse një diplomë universitare është një biletë për një jetë më të mirë, kjo biletë shpesh është tepër e shtrenjtë”, tha  Biden, i cili gjendet në një vizitë tre-ditore në Kaliforni, dhe bëri njoftimin në kuadrin e një plani të ri që mundëson faljen e kredive

“Më tepër amerikanë se ç’duhet janë të mbingarkuar me barrën e borxhit të papërballueshëm, në këmbim të një diplome universitare”, tha ai gjatë një vizite në një librari lokale, përpara se të shkonte në një aktivitet elektoral. Lehtësimi nga borxhi ndihmon ekonominë në përgjithësi, tha ai, sepse “kur njerëzit lehtësohen nga borxhi studentor, atëherë blejnë shtëpi. Ata nisin biznese, ata kontribuojnë. Ata angazhohen”.

Përfituesit e parë nga programi i ri filluan të njoftohen nëpërmjet postës elektronike. Mbi 7.5 milionë persona janë të përfshirë në programin më të madh për shlyerjen e borxhit. “Jam krenar të kem mundësinë t’u jap kredimarrësve si ju, lehtësimin që e keni fituar”, tha Biden, duke pyetur njerëzit në turmë se sa prej tyre kishin kredi që u ishte falur. Shumë prej pjesëmarrësve ngritën duart.

Presidenti Biden e pati njoftuar planin e ri për shlyerjen, së bashku me një plan për të anuluar deri në 20 mijë dollarë nga kreditë studentore të miliona amerikanëve. Gjykata e Lartë rrëzoi planin për falje masive të borxheve, por plani për shlyerjen deri më tani i ka shpëtuar kësaj lloj vëmendjeje të shtuar ligjore.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?