Sulmi me dronë/ SHBA, Izraeli dhe Sunitët: Aleanca e re që siguroi mburojën politiko-ushtarake kundër Iranit

15 Prill, 10:17| Përditesimi: 15 Prill, 10:19

  • Share

Nga beteja e madhe për të zbrapsur sulmin iranian natën mes 13  - 14 prillit mund të lindë embrioni i një Lindje të Mesme ndryshe dhe një paradigme të re të sigurisë globale në gjëndje të shtrihet deri në Europë.

Sepse nëse Izraeli arriti të ndalonte raketat iraniane nuk ishte vetëm për shkak të efikasitetit të kupolës së tij kundërajrore: suksesi është mbi të gjitha falë aleancës me vendet sunite, të ndërmjetësuara dhe të menaxhuara nga Shtetet e Bashkuara.
Në vazhdën e të ashtuquajturës marrëveshja e Abraham, (Shënim: marrëveshja historike paqeje mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe e ndërmjetësuar nga Trump në 2020) u thur rrjeta e një marrëveshjeje tjetër, shumë më konfidenciale dhe funksionale, e quajtur Mead ose Mbrojtja Ajrore e Lindjes së Mesme. Një pakt tepër sekret që bashkon informacionin e radarëve si dhe koordinon operacionet luftarake dhe bateritë tokë-ajër të shumë kombeve arabe, të lidhura me shtetin hebre, nga dëshira për të ndaluar fuqinë raketore të Teheranit.

Sa peshon ky bashkëpunim natën e gjatë të dronëve mund të kuptohet nga fraza e ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant: «Bota pa fuqinë e një koalicion: Pa sesi Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera e bllokuan këtë sulm në një mënyrë të paprecedentë”. Kjo do të thotë se kishte diçka më shumë se ndërhyrja e avionëve jordanezë për të rrëzuar dronët e Pasdaranit (Garda Revolucionare e Iranit):  Izraelit i mbërritën të dhëna jetike për fillimin e sulmit dhe rrugën e dronëve të qëlluar nga Republika Islamike. Ato u furnizuan nga Emiratet e Gjirit, sipas mekanizmave Mead të zhvilluara nga Pentagoni, të cilët menaxhohen nga Centcom amerikan: Nuk është rastësi që kreu i saj, gjenerali Michael Erik Kurilla, ishte fizikisht në komandë të Forcave të Mbrojtjes izraelite gjatë gjithë kohëzgjatjes të krizës.

Frika e ajatollahëve është dëshmuar të jetë më e fortë se 191 ditët e bombardimeve në Gaza, duke i bindur mbretërit sunitë të lënë mënjanë kritikat ndaj qeverisë Netanyahu për t'i dhënë forcë një mburoje të përbashkët që nuk ishte parë kurrë në historinë e Lindjes së Mesme. Natyrisht, pas pushtimit tokësor të Rripit të Gazës të nisur si kundërpërgjigje ndaj masakrave të Hamasit të 7 tetorit, raportet me shtetin hebre nuk gjejnë konsensus mes popullatës myslimane dhe aktiviteti konkret i kryer një natë më parë mbahet sekret.

Edhe emrat e vendeve që aderojnë në MEAD janë top sekret por ka rezultuar se për dy vjet në takimet teknike mobilizimi kundër  artilierisë së ajatollahëve ka ulur në të njëjtën tavolinë autoritetet ushtarake të Izraelit, Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara, Jordani, Egjipt, Bahrein, Marok.

Ky koalicion i paprecedentë ka kaluar një provë zjarri dhe tani po bëhet pikë referimi për hartimin e skenarëve të ardhshëm: një model alternativ për t'i dhënë shtysë të re marrëdhënieve midis Izraelit dhe monarkive sunite, duke filluar nga ndërgjegjësimi për situatën gjeopolitike.

Përqafimi midis Moskës dhe Teheranit, i çimentuar në luftën në Ukrainë, po bën që cilësia e arsenalit iranian të rritet në mënyrë eksponenciale, falë ardhjes së armëve ruse të gjeneratës së fundit, si avionët luftarakë-bombardues Sukhoi 35, por mbi të gjitha falë sugjerimeve teknike për t'u përmirësuar.

Prodhimi i municioneve me rreze të gjatë. Të shtunën mbrëma, propaganda pro-iraniane pretendoi se raketat hipersonike dhe dronët Shaded 236 me motorë reaktivë kishin hyrë në veprim, të dyja si rezultat i këtij shkëmbimi teknologjish. Mbështetja ekonomike e Pekinit dhe intensifikimi i stërvitjeve kineze me forcat ruse dhe iraniane vetëm sa shtojnë frikën mbi mundësinë që Republika Islamike mund të shfrytëzojë momentin e favorshëm për të nisur sulmin kundër rivalëve të saj historikë sunitë. Dhe imazhet e raketave që pushtuan qiejt e Amanit, Bagdadit dhe Bejrutit dërguan një emocion frike në të gjitha kryeqytetet e rajonit:  Dhe ato që u lëshuan të shtunën ishin vetëm një pjesë e vogël e rezervave të grumbulluara nga Pasdaran.

Kërcënimi nuk tremb vetëm arabët: prania e përgjuesve francezë dhe britanikë përkrah Izraelit në betejën e natës konfirmon se shqetësimi po prek Evropën. Dje u diskutua edhe në selinë e NATO-s në një seri takimesh jozyrtare me përfaqësuesit e SHBA-së për të kuptuar se si të mbrohet Kontinenti i Vjetër, sot krejtësisht i lirë nga mbrojtjet kundër raketave, nga një inkursion i ngjashëm: E vetmja mburojë mund të vijë nga bateritë dhe nga Kryqëzuesit amerikanë.

Ja pse fitorja ndryshon ekuilibrin dhe raportin mes fuqive. Presidenti Biden mund t'i kërkojë Netanyahut të ndalojë hakmarrjen për sulmin, duke vënë në tavolinë një strategji më të gjerë dhe më vendimtare për t'u marrë me çështjen iraniane sesa sulmet vrasëse kundër liderëve të Gardës Revolucionare. Biden ishte regjisori i Mead për të cilën kishte filluar të punonte tashmë kur ishte zëvendës i Obamës, dhe tani ai mund ta përdorë si gur themeli konkret të një nisme strategjike që mund të rifillojë kanavacën diplomatike të shqyer nga masakrat e Hamasit dhe civilët e vrarë në Gaza.

Nuk është rastësi që në vitin 2022 arkitekti izraelit i marrëveshjes anti-iraniane ishte ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Benny Gantz: anëtari i kabinetit të luftës që pak ditë më parë kërkoi dorëheqjen e Netanyahut. Dhe që dje bëri thirrje për krijimin e një "koalicioni rajonal për t'iu kundërvënë Teheranit": "Bota është bashkuar me ne për të përballuar rrezikun dhe ky është një sukses strategjik për vendin tonë - deklaroi ai - i cili mund të bëhet një spirancë sigurie për Lindja e Mesme". Një tjetër vizion, që mund të ndryshojë gjithçka. Brenda dhe jashtë Izraelit.

* La Repubblica/ Shkrimi u perkthye nga shqiptarja.com

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?