Aleksei Navalny

SHBA i kërkon Rusisë të lirojë menjëherë kritikun e Kremlinit, Aleksei Navalny

10 Shtator 2022, 10:37| Përditesimi: 10 Shtator 2022, 11:03

  • Share

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë politikanin opozitar, Aleksei Navalny, i cili është dërguar së fundi në qeli.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga ndërhyrja që po bën Qeveria ruse në të drejtat e Aleksei Navalnyt”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Navalny ka thënë përmes disa postimeve në Twitter, më 8 shtator, se autoritetet e burgut e kanë akuzuar atë se është përfshirë në aktivitete kriminale jashtë burgut, dhe për pasojë i kanë hequr të drejtën e takimeve me avokatin.

Navalny, i cili është duke vuajtur dënimin me burg për dy akuza – shkelje të rregullave të dënimit me kusht, dhe për përvetësim – në një burg 260 kilometra në lindje të Moskës, ka thënë se autoritetet e kanë dërguar në qeli dhe ia kanë kumtuar vendimin.

Kur Navalny i ka pyetur se çfarë krime mund të ketë kryer ai nga burgu, ata i kanë thënë se “nuk të lejohet ta kuptosh”. Sipas tij, ai do të kalojë 15 ditë në qeli, për herë të katërt prej kur është burgosur. Navaly, i cili njihet si kritik i ashpër i Kremlinit, është arrestuar në janar të vitit 2021, pas kthimit në Moskë nga Gjermania.

Në Berlin, ai është trajtuar pas helmimit me agjent nervor në Siberi. Navalny e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin për këtë sulm, mirëpo Kremlini ka hedhur poshtë diçka të tillë.

Ai është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të dënimit me kusht dhe më pas me nëntë vjet burgim nën akuzat për përvetësim. Ai dhe mbështetësit e tij kanë thënë vazhdimisht se këto akuza janë të motivuara politikisht./REL

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?