Michele J. Sison dhe Lindita Nikolla

'SHBA admirojnë partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë për sigurinë', Nikolla pritet nga asistent Sekretare e Shtetit, Michele J. Sison.

23 Tetor 2023, 21:27| Përditesimi: 23 Tetor 2023, 21:31

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u prit sot në Departamentin e Shtetit  nga Asistent Sekretarja për Organizatat Ndërkombëtare. Michele J. Sison. 

Kryetarja Nikolla nënvizoi se partneriteti strategjik me ShBA është një gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ky partneritet është konkretizuar në bashkëpunimin për çështje të ndryshme të zhvillimeve ndërkombëtare, në KS të OKB-së, si bashkëpenëmbajtëse për mbështetjen e Ukrainës, mbështetjen e Izraelit, luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, refugjatët iranianë dhe afganë, mbështetjen e integrimit në Ballkanin Perëndimor dhe lidershipin e Procesit të Berlinit.

Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj ShBA për avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kulturës së pandëshkueshmërisë dhe mbështetjen e Kuvendit për thellimin e tyre.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Shqipëria është në një linjë me ShBA dhe BE për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi  dhe normalizimin e marrëdhënive mes tyre si kusht për paqen dhe sigurinë në rajon.

Asistent Sekretarja e Shtetit, Michele J. Sison nënvizoi se partneriteti ShBA-Shqipëri i shërben paqes dhe popujve. ShBA admirojnë lidershipin e fortë të Shqipërisë në KS dhe bashkëpunojmë për mbrojtjen e paqes. Në Këshillin e të Drejtave të Njeriut punojmë bashkarisht për të drejtat e njeriut në mbarë botën. Në UNESCO jemi të angazhuar për mbrojtjen e thesareve kulturore të njerëzimit.

ShBA vlerëson qëndrimet parimore të Shqipërisë, si një partner i jashtëzakonshëm për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë në botë. Zgjedhja e Shqipërisë  në 10 tetor si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut ishte një sukses i jashtëzakonshëm për dy  vendet tona, sepse agjenda e të drejtave të njeriut po ndërlikohet në mjaft vende e rajone të botës.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?