Sfidojnë traumat e luftës me art dhe përrallë dashurie, balerinët ukrainas me premierë në Durrës: Sjellim shpirtin ukrainas dhe mesazhe për paqen

25 Korrik 2023, 16:48| Përditesimi: 25 Korrik 2023, 16:50

  • Share

Ata vijnë nga verilindja e Ukrainës. Prej tri javësh qëndrojnë në Durrës. Kanë vendosur të sfidojnë luftën e traumat e saj përmes artit e të bukurës.  Dëshirën për jetën, Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës e shpalosin në 30 korrik në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar me premierën “Princesha e akullit”.

“E mora këtë nismë për të sjellë një histori dashurie, një atmosferë përralle. Për të rikthyer në vendin tim, Ukrainën, lumturinë dhe harenë. Durrësi ishte një zgjedhje rastësore, çështje fati. Teksa po shikonim hartën, zgjodha Shqipërinë dhe veçanërisht Durrësin duke menduar komoditetin e trupës edhe për tu kënaqur dhe argëtuar me plazhin dhe bukuritë e qytetit”, tha Iryna Khandazhefskyi, organizatore.

Historia romantike e “Princeshës së akullit” me më të mirën e muzikës klasike nga kompozitorë si Mozart, Vivaldi, Halvorsen dhe Leontovich do të krijojë për publikun një atmosferë magjike, ku mes zanave e krijesave të tjera përrallore në qendër të historisë janë princesha e bukur dhe princi guximtar e i pamshëm.

“Punoj për herë me këtë trupë balerinësh dhe po për herë të parë po vë në skenë një premierë me trupë të baletit klasik. Nuk jam marrë më parë me balet klasik dhe për mua është një eksperiencë e bukur. Ndjehem i lumtur që këtë premirë po e vendosim në Durrës, në Shqipëri”, u shpreh Andreas Hise, koreograf.

Misionit i janë bashkuar balerinë nga disa shtete, për të dhënë mesazhin e përbotshëm të paqes e harmonisë mes vendeve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?