Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, dështimi rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në

7 Qershor 2023, 22:29| Përditesimi: 7 Qershor 2023, 22:40

  • Share

Një grup senatorësh amerikanë të udhëhequr nga senatorja Jeanne Shaheen, thanë të mërkurën se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duhet të punojnë për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Senatorët paralajmëruan se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të mund të dëmtonte marrëdhëniet e të dyja vendeve me Shtetet e Bashkuara.

“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar më situatën e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne ritheksojmë se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan për përpjekjet e Bashkimit Evropian në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t'i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të shtensionuar situatën, për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet vendore në veri dhe për t'u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Senatorët u bënë thirrje të udhëheqësve që ndërsa shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm, të zgjedhin paqen, përparimin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.

“Dështimi për të ulur tensionet do të shkaktonte veprime me pasoja nga perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në rrugë përpara, dhe pa rrezikon pa nevojë të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje pa vonesë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të senatores Shaheen me kolegët e saj Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts.

Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore./ VOA

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?