Florenc Çapja dhe Fadil Mema

Sëmuren me grip të zakonshëm gjyqtarët, shtyhen seanca në Apel kundër Florenc Çapjas

10 Mars 2020, 19:11| Përditesimi: 10 Mars 2020, 19:15

  • Share

Seanca gjyqësore në gjykatën e Apelit, kundër Florenc Çapja, të hetuar nga prokuroria e Elbasanit, për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë në dëm të Fadil Memës është shtyrë për në datën 18 mars, në orën 13:00. Vendimi për shtyrjen është marrë ditën e sotme, jo për shkak të pezullimit të proceseve gjyqësore për koronavirusin, por si pasojë e mungesës së dy anëtarëve të trupit gjykues, të cilët mësohet kanë paraqitur raport mjekësor se ishin të sëmurë me grip të zakonshëm.

Nisur nga kushtet e mosformimit të trupit gjykues, një gjyqtar i vetëm ka vendosur të shtyjë procesin gjyqësor kundër, Çapjas në Apel, duke caktuar datën 18 mars 2020 në orën 13:00. Por pas vendimit të sotëm që mori Këshilli i Lartë Gjyqësor, për pezullimin e proceseve gjyqësore në të gjithë gjykatat e vendit, edhe në datën 18 mars 2020, ky proces do shtyhet sërish.

Florenc Çapja, është duke u gjykuar në gjykatën Apelit në Durrës, pas ankimimit të bërë nga prokuroria e Elbasanit, ndaj vendimit të datës 20 nëntor 2019 të marrë nga gjyqtari Tomor Kullolli, i cili gjatë një seance paraprake vendosi të pushojë dy akuzat e ngritura nga prokuroria atë të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe Mbajtjes pa lejë të armëve, duke urdhëruar lirimin nga qelia të Florenc Çapjes.

Ky vendim u kundërshtua, publikisht nga Policia e Shtetit, e cila e quajti vendimmarrjen e gjyqtarit Kullolli, të turpshme. Çapja u arrestua në muajin qershor 2019, por pas 6 muaj në burg, akuzat ndaj tij u pushuan dhe më pas u lirua pa u gjykuar fare. Kujtojmë që kjo çështje është hera e tretë që pushohet dhe sot e kësaj dite autoritet e drejtësisë nuk kanë asnjë person të dënuar për tentativën e vrasjes së ish-efektivit të Policisë Rrugore në Elbasan, Fadil Mema.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?