Sëmundjet e veshit të mesëm, simptomat, pasojat dhe ndërlikimet shëndetësore. Trajtimi alternativ me bimë mjekësore sipas specialistit Ylli Merja

8 Maj 2023, 13:34| Përditesimi: 8 Maj 2023, 13:45

  • Share

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në sëmundjet e veshit në përgjithësi si dhe të veshit të mesëm, simptomat, pasojat dhe ndërlikimet shëndetësore.   

Vertigo apo marramendja është një nga shenjat e para më dalluese që na sinjalizon për sëmundjen e veshit të mesëm. Por kjo sindromë mund të vijë nga shumë probleme shëndetësore siç është dhe çervikalja. Sipas specialistit Merja sëmundja e veshit të mesëm shoqërohet me marrje mendsh, të përziera, të vjella dhe djersitje, ndjesinë e veshit të mbushur me ujë, zhurmë në vesh apo humbje të ekuilibrit, vështirësi në dëgjim vetëm në njërën anë e shoqëruar shpesh me një ndjesi të presionit në veshin e asaj ane. Shkaqet e sëmundjeve të veshit janë:

·        Infeksionet virale, bakteriale, myku

·        Futja e ujit në vesh

·        Prishja e florës bakteriale, rrjedhja e veshit

·        Bllokimi i hundëve nga virozat ose në raste të uljes nga avioni me gojën mbyllur

·        Ndryshimi i klimës

·        Përhapja e ekzemës në vesh

·        Çervikalja, tensioni i ulur, anemia, etj

·        Infeksioni i veshit të mesëm

Specialisti Ylli Merja thotë se për të kuptuar më shumë për sëmundjet e veshit së pari duhet të njohim anatominë e veshit. “Pjesa e jashtme e veshit është në formën e një hinke për të mbledhur të gjithë tingujt zanore. Në brendësi të kanalit të veshit ndodhet një pjesë e ngushtë që është timpani, mbi të ndodhet një pjesë kockore që quhet kocka temporale. Nga pjesa e timpanit të veshit dallojmë një si kub të vogël i cili kufizohet nga pjesa e brendshme e membranës të timpanit, nga kanali i eustakut dhe muri i jashtëm i veshit të brendshëm. E vetmja portë komunikuese e veshit të mesëm me ambjentin është kanali i eustakut. Ky kanal në pjesën e brendshme të tij ka një mukozë shumë të hollë e cila nganjëherë mund të inflamohet. Në momentet kur kemi një ngushtim dhe nuk funksionon ky kanal atëherë fillojnë problematikat” –shprehet Merja duke këshilluar se pastrimi i veshit nga yndyrnat, dylli duhet bërë rregullisht.  

Që në kohët e lashta janë të njohura trajtimet me bimë të ndryshme mjekësore për kurimin e sëmundjeve të veshit. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja këshillon dhe rekomandon trajtimin alternativ si një metodë shumë efikase:

·        Mos fusni në veshin e jashtëm duar të palara

·        Fshini pas dushit kanalin e veshit dhe përdorni tharësen e flokut në vesh

·        Pas thjarjes mund të vendosni një pikë vaj ulliri ose ekstrakt balsamik

·        Në rast kruarje të veshit lyeni kanalin e veshit dhe membranën me një tampon të lagur me 2-3 pika propolis me rigon

·        Në rast dhimbje akute apo të problemeve me veshin e mesëm mund të veproni kështu: hedhim në xhevze 1 lugë gjelle raki ose vaj ulliri, shtojmë 10-12 thelpinj hudhre të shtypur pak qepë të shtypur në masë sa hudhrat dhe i kaurdisim. Mund të shtojmë 10-15 kokrra kafe të papjekura. Pas 10-15 minutave lagim një tampon dhe lyejmë kanalin e veshit. Kjo bëhet 2 herë në ditë.

·        Përdorni xhelin e lules së akullit nga 2 pika në mëngjes dhe në mbrëmje nëse vuani nga problemet me veshin e mesëm

·        Gjithashtu pini 2-3 gota çaj harmonia në ditë

·        Bëni avull me çajin për sinozit. Bëhet 6-7 ditë për të dezinfektuar kanalin e eustakit dhe kavitetin e veshit të mesëm

·        Vaj helikrisium dhe livando. Pini 2x3 pika pas buke. Hidh në vesh 2 pika, lyeni pjesën pas veshit me 4-5 pika nga ky vaj

·        Masazhoni qafën 10-12 ditë me ndonjë vaj bimor ose kremin reumer. Bëni zgjatjen dhe drejtimin e qafës, çervikalen

·        Bëni ushtrime të qafës ose shtrihuni mbi tapet me shpinë dhe qafën ngjesheni fort në tapet

·        Në rastin e atomykozës lagim kanalin e veshit me 2-3 pika propolis me rigon. Pasi thahet vendosim pak krem myku në vendet që lëkura është e ashpër.

 

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?