Arben Ahmetaj

Sekuestrimi i vilës në Hamallaj, seanca për kërkesën e Ahmetaj në 26 prill

14 Prill 2023, 09:35| Përditesimi: 14 Prill 2023, 10:04

  • Share

TIRANË- Gjyqtari Dhimitër Lara do të shqyrtojë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm kërkesën e ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për heqjen e sekuestros së vilës në Hamallaj. Seanca e radhës do të mbahet në 26 prill në orën 11:00. 

Ankimimi në Apelin e Posaçëm erdhi pasi u rrëzua fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ahmetaj e konsideron të paligjshëm kontrollin e banesave, pasi sipas tij duhej të merrnin leje për kontrollin në vilë, pasi aty jeton edhe ai dhe ka statusin e deputetit. Ahmetaj e cilëson në kundërshtim me ligjin, e ndërsa thotë se për shkak të vendosjes së sekuestros preventive, ai së bashku me partneren Erjola Hoxha dhe fëmija i mitur janë detyruar që të jetojnë në një banesë me qira, pasi nuk kanë një banesë tjetër.

Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda. Report Tv mësoi ekskluzivisht se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar ndaj tij me akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, pastrimit të parave dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj. 

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. Pas këtij kontrolli SPAK ka marrë vendimin për të sekuestruar 2 vila në kuadër të hetimit ndaj ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj. U vendos sekuestro preventive për vilën në Palasë të ish-bashkëshortes së ish-ministrit, Albina Mançka si dhe vilën në Hamallaj në pronësi të bashkëjetueses Erjola Kodra, ku Ahmetaj thotë se jeton. Më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se vila nuk është pronë e saj. Gjatë marrjes në pyetje Maçka, ka pretenduar se vilën në Palasë ja ka lënë një shoqja e saj e cila jeton në Zvicër dhe pretendon se ka vetëm një banesë në ish-Bllok. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?