Sekretet e shkencës restauruese
si morën jetë 25000 thesare

21 Prill 2013, 05:00| Përditesimi:

  • Share
Që në fillim do të më duhet të bëj një sqarim termash për të shmangur ndonjë keqkuptim të mundshëm, që do të lindte diskutime. Kjo ka të bëjë me termin restaurim dhe konservim. Restaurimi, që vjen nga fjala latine restauro, ka kuptimin e rivendosjes së gjendjes, ndërsa konservimi, po nga latinishtja nënkupton ruajtjen e gjendjes, atë që në një gjuhë më teknike do ta përcaktojë literatura profesionale si “status quo”.

Konservimi si term është më i vjetër, ndërsa konservimi më i ri, ndonëse sot ka fituar statusin dominues dhe gjerësinë konceptuale, duke përfshirë edhe restaurimin. Në fund të fundit restaurimi kryhet pikërisht për konservimin. Sidoqoftë termi restaurim është më i njohur dhe duke qenë se ky shkrim ka karakter përkujtimor, do të bëjmë një kompromis të padëmshëm, duke përdorur termin restaurim.

Restaurimi në botë është shekullor. Në Shqipëri është zhvilluar në shekullin e kaluar. Nuk kemi ndonjë datë të përcaktuar qartë për fillimet e tij, por ekziston ndonjë dokument i para viteve 1940, ku kërkohet që të bëhen ndërhyrje restauruese nga ekspeditat arkeologjike që vepronin në Shqipëri. Përsëri nuk dihet në se është fjala për restaurimin e monumenteve të zbuluara, apo për objektet që vendosen në muze.

Fillimet e veta restaurimi i objekteve muzeale i ka në vitin 1957. Ai lidhet me ekspeditat arkeologjike sovjetike. Veç specialistëve të ardhur nga muzeumet e Bashkimit Sovjetik, nga pala shqiptare u angazhuan dy vetë, Namik Bodinaku dhe i ndjeri Spiro Koҫi. Po atëherë u organizua edhe laboratori i parë fushor, që kujdesej për objektet e sapodala nga gërmimi.

Një vit më vonë u organizua edhe laboratori i parë stabël në ndërtesën e Muzeut Arkeologjik. Namik Bodinaku është dhe do të mbetet përgjithmonë shqiptari i parë që themeloi laboratorin e restaurimit dhe punoi vite të tëra me përkushtim të lavdërueshëm. Disa emra të tjerë të tjerë të ekipit të asaj kohe? Violeta Llavda, Muharrem Turkeshi, Nikolin Baba, Stefan Hobdari, Sotir Kosta, Hatixhe Simo.

Laboratori ishte i thjeshtë. Nuk mund të pritej ndonjë kushedi se ҫfarë në ato vite të varfra. Kush e ka jetuar atë kohë e kupton menjëherë vështirësinë. Materialet erdhën nga Bashkimi Sovjetik dhe për kuriozitet mund të thuhet se po të kërkosh në mjetet e laboratorit, gjen edhe sot e kësaj dite ndonjë gjë të mbetur nga ajo kohë. Por gradualisht situata shkoi duke u përmirësuar.

Ekipi që punonte realizoi restaurime të një niveli, natyrisht të asaj kohe, por me cilësi të mirë. Që nga ajo kohë vijnë restaurimet e skulpturave të gjetura për shembull në Apoloni, siç është ajo e magjistratit, koka e Demostenit, etj. U realizua restaurimi i shumë enëve prej qeramike, midis të cilave shquhen ato me figura, si krateret kaliks, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të qëndrojnë shumë mirë, përveçse enëve të përdorimit të përditshëm shtëpiak, ato të riteve etj.

Po kështu u punua edhe me bronzet dhe objektet prej hekuri dhe argjendi. Po ato përpjekjet për të ruajtur imazhet e trungjeve të palafiteve të Maliqit? U krijua edhe gipsoteka, e në bazë të saj u riprodhuan kopje për shkollat. E gjithë puna u karakterizua nga dëshira për të ecur përpara, duke menduar edhe për ecurinë në të ardhmen. Në vitet 1967-68 u bënë përpjekjet e para, por pa rezultat, për zgjerimin e mëtejshëm të punës edhe në drejtim të arkeometrisë.

Ndërkohë, me zhvillimin e kërkimit shkencor lindën koncepte të reja, u kërkua një përafrim më i madh me nivelet e shkencës arkeologjike evropiane. Laboratorit i u parashtruan detyra të reja të një kërkimi shkencor, ku shkencat natyrore të ndërthureshin me arkeologjinë për zgjidhjen e enigmave dhe pasurimin e konkluzioneve. Ristrukturimi i laboratorit filloi në fund të vitit 1970.

Një detyrë kryesore ishte arkeometria. U fillua me kiminë. Një vit më vonë u morën rezultatet e para. Pastaj në studim u përfshi edhe fizika, duke zbatuar metodat e saj të shpejta dhe me kosto të ulët. Bashkëpunimi filloi me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Njëkohësisht u përfshi edhe statistika matematikore. Puna u zgjerua edhe me Institutet dhe ndërmarrjet e gjeologjisë. Shembuj të këtij bashkëpunimi ishin studimet për gjetjen e origjinës së objekteve.

Nuk shkoi shumë dhe ndodhi një zhvillim tjetër më i madh, duke angazhuar Institutin e fizikes bërthamore. Rezultatet krahasoheshin me ato evropiane. Studimit i u nënshtruan objektet prej qeramike, metali dhe qelqi. U aplikua marrja e strukturës se metaleve nëpërmjet të radiografive me rreze X. Njëkohësisht u panë mundësitë e studimit të strukturës së metaleve dhe ndikimi i proceseve teknologjike në strukturë.

Kështu filloi hedhja e gurit të parë në themelin e studimit të historisë së metalurgjisë dhe përpunimit të metaleve. “Ngutja” në zhvillimin e kësaj fushe nuk kishte të “ngopur”. Filluan studime duke u bazuar në strukturën e mineraleve. Është interesante të thuhet se rezultatet e përftuara u përsëritën shumë më vonë me përpikmëri edhe nga studimet e ekspeditave komplekse arkeologjike në kuadër të bashkëpunimit të arkeologjisë shqiptare me atë botërore.

Domosdo që na u përkëdhel sedra shkencore. Paralelisht me arkeologjinë studimet përfshinë edhe artin, sidomos studimin e pigmenteve në ikona. Zbulimi i parë dhe më mbresëlënës ishte zbulimi i përbërjes të së kuqes së Onufrit. U studiuan edhe pigmentet e përdorura nga piktorë të tjerë të mëdhenj në artin kishtar, në ikona, apo në pikturën murale si Selenicasi, Qiprioti, etj. Puna u zgjerua edhe në studimin petrografik të llaҫeve në kërkim të historisë së materialeve të ndërtimit. Shembulli më domethënës është studimi i kryer për llaҫet e përdorura në kalanë e Petrelës.

Filloi të krijohej gradualisht grupi i specialistëve të arkeometrisë, i cili me kohë edhe u zgjerua me studiues të rij. Janë kryer studime edhe në kuadër të bashkëpunimit shkencor të Shqipërisë me vendet e tjera, si me Italinë, Greqinë, Slloveninë dhe Maqedoninë, ku pjesëmarrja ka qenë e përhershme. Dhe për tu theksuar, këto studime, për nga rezultatet e arritura janë renditur në vendet e para, ose të parat.

Në këto studime mund të përmendet ai për terrakotat e gjetura në Liqejt e Belshit, të monedhave të Monit, të pikturave murale në kisha, të qelqeve mesjetarë dhe të periudhës romake, shpatave prej bronzi të tridhjetë shekujve më parë, etj. Por jo vetëm kaq. Nëpërmjet vizitave në laboratorë të Evropës, konferenca e letërkëmbime u krijuan lidhje me studiues, të cilët ndihmuan maksimalisht falas në studimet tona shkencore, e në këtë rast është shumë domethënës studimi i kryer për epitafin e Glavinicës.

Gjithmonë studimi i përbërjes kimike, strukturës dhe rrugës së shpërbërjes paraprin restaurimin e objekteve. Kështu restaurimi u ngrit mbi baza të sakta. Në vitet e shtatëdhjeta restaurimi u shkëput nga niveli i viteve te pesëdhjeta për të udhëtuar brenda një duzine vitesh në nivelin evropian. Ka qenë një periudhë e karakterizuar jo nga ecja , por nga vrapi.

Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë u bë lideri i punës restauruese muzeale dhe i studimeve në fushën e historisë me ndihmën e shkencave natyrore në Shqipëri. Të kësaj periudhe janë restaurimet e nivelit botëror të objekteve prej bronzi dhe argjendi. Avancoj puna edhe në restaurimin e objekteve prej qeramike, duke ndjekur të përparuarën. Po në këtë periudhë kohore u zhvillua edhe trajtimi i objekteve etnografike, gradualisht, por pa ndërprerje.

U zbatua elektrokimia në të gjithë gjerësinë e saj, përfshi galvanoplastikën. Filloi riprodhimi objekteve bazuar në taselat sintetike. Ishte e vështirë, tepër e vështirë. Nuk kishim eksperiencë, as kontakte me laboratorë të tjerë jashtë Shqipërisë. Mundoheshim , e mundoheshim, ndërsa pikëpyetjet rreshtoheshin, e përmbyseshin në një vrap shkencor, që u cilësua nga specialistët e fushës, si i çmendur.

E në këtë vrap duhet të përmendim edhe matjen fizike të ngjyrave, që kontrollonte konservimin e tekstileve, duke përcaktuar njëkohësisht ndikimet e veprimeve ndërhyrëse, përzgjedhjen dhe rrugën e ndërhyrjes. U konceptuan të gjitha metodat e analizës të bazuara në spektrin elektromanjetik, që do të ndihmonin konservimin, por edhe studimin. Veҫ atyre të renditur më sipër, vlen të përmendet spektrofotometria. Pastaj i erdhi radha kromatografisë, u bënë përpjekjet e para për të studiuar korrozionin në kushtet specifike të vendit tonë, etj.

Detyrat nuk kishin fund. Në fillimet e viteve të tetëdhjeta u desh të merreshim edhe me luftën kundër biodegradimit. Eksperimentonim gjithçka, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrezikshmëria. Konceptet ekologjike filluan të predominojnë strategjinë. Rezultatet nuk vonuan. Sa e vështirë ka qenë, sa e vështirë! Në çfarë tensioni është punuar! Duhet të kesh qenë atlet në këtë vrap, që të mund ta kuptosh!

Dora-dorës filloi të koordinohej më mirë bashkëpunimi konservim dhe studim arkeometrik. Rezultatet ndihmonin anasjelltas njëri tjetrin. Bashkëpunimi midis institucioneve shkencore dhe ndërmarrjeve të specializuara dha rezultate të mrekullueshme.

Le të kujtojmë përballimin e punës për përgatitjen e ekspozitës “Arti shqiptar në shekuj”, që u hap në Paris, Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun e artit mesjetar shqiptar të Korҫës, Muzeun arkeologjik të Durrësit, të Apolonisë, të Tiranës, Ekspozitën etnografike, etj, të gjitha ekspozitat e hapura në Evropë, si në Gjermani, Austri, Itali, Greqi, Francë. Të gjitha kanë brenda punën e këtij laboratori! Dhe në seicilën prej këtyre hapave puna u lartësua: ata shërbyen si një shtytje dhe tërheqje drejt lartësimit.

Të përmendim restaurimin e epitafit të Glavenicës, të thesarit të zbuluar në kapelën e amfiteatrit në Durrës, të varrit të Belshit, të flamujve më historikë të Shqipërisë, të thesarit të Hoxharës, të Kalivasë, të atyre të Durrësit, të Apolonisë, shpatave damaskine, armëve të zjarrit, të asaj mburojës së zbuluar në Apoloni, Afërditën e Marglliҫit… Pa punën e këtij laboratori Muzeu i Apolonisë nuk do të kishte këtë shkëlqim! Çfarë të përmendësh më parë? Janë më shumë se 25000!

Por tashmë është koha për të bërë një hap tjetër cilësor, për të futur fjalën më të fundit! Dhe progresi do të jetë një gërshetim i ecurisë së studimit arkeometrik dhe zbatimit në konservim. Roli pararojë i këtij laboratori, i bllokuar këto vitet e fundit, duhet të rivendoset, si e vetmja mundësi e sigurimit të trashëgimisë së materialit historik.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?