Sekretariati: Të rishikohen 
tarifat e energjisë elektrike!

2 Tetor 2014, 08:09| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Rishikimi i çmimit të energjisë është i domosdoshëm. Shqipëria operon me çmime më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, ndërsa shkëmbimet mes operatorëve bëhen me çmime të fiksuara. Ka deklaruar kështu dje drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, ku Shqipëria është vend anëtar.

Ai ka prezantuar dje raportin e energjisë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sipas tij, çmimi i energjisë duhet bazuar në koston që kanë operatorët dhe eficencën e ofrimit të shërbimeve. Çmimet janë të fiksuara dhe nuk ndryshojnë prej katër vitesh, ndërkohë që ato duhet të bazohen në kostot operative që kanë operatorët. Niveli i humbjeve në rrjet është tepër i lartë, ndaj qeveria duhet të marrë masa që, të reduktojë në mënyrë drastike vjedhjet dhe të rrisë arkëtimet, deklaroi Janez Kopac. Sektori i energjisë, sipas Kopac, është gati i falimentuar, për shkak të çmimeve dhe duhet vendosur një treg i qëndrueshëm energjetik.

"Humbjet e energjisë nuk mund të ulen brenda ditës. Duhet të reformoni tregun, të futni operatorë të tjerë. Lidhur me ERE, Enti Rregullator i Energjisë duhet të jetë i pavarur dhe nuk duhet të ndryshojë sa herë ndryshojnë qeveritë", tha ai. Duke shtuar se "në Shqipëri nuk është realizuar asnjë reformë në sektorin energjetik gjatë viteve të fundit. Reformat e energjisë në Shqipëri vijojnë të mbahen peng. Shqipëria dështoi në përmbushjen e paketës së dytë energjetike dhe prioritet për paketën e tretë duhet të hyjnë në fuqi më 2015.

Këto prioritete janë: plotësimi i kushteve për paketën e tretë, ku përfshihet një strukturë e re tregu, reforormë e thellë në tregun e energjisë, ulje të humbjeve dhe rritje të arkëtimeve. Duhet bërë rregullim i çmimit të energjisë. Veç kësaj, tregu duhet liberalizuar, duke futur në sistem operatorë të tjerë, si dhe të përcaktohen klientët e cenueshëm", tha Kopac. “Detyra jonë nuk është që të detyrojmë qeverinë, por të këshillojmë dhe të mundësojmë që vende si Shqipëria të bëhen pjesë e tregut energjetik europian”.

Tashmë Operatori i Sistemit të Transmetimit ka dorëzuar kërkesën për rishikim të tarifave pranë Entit Rregullator të Energjisë, duke kërkuar rritje 10%. Ndërsa KESH ka përfunduar hartimin e kërkesës që do të dorëzojë dhe, të paktën duke u bazuar në katër vitet e fundit, Korporata ka kërkuar një rritje të çmimit të paktën në vlerën e 4.3 lekëve. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?