I shqetësuar nga situata në veri të Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka biseduar ditën e sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Stoltenberg tha se është jetike që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen dhe t’i kthehen dialogut.
“Bisedova me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin për nevojën e de-eksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.
Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje e ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Lajmi kryesor: