Sejko e Lulgjuraj, të fundit në
votimet online të eurosong

4 Maj 2013, 05:37| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Vetëm 2.86, nga 10 në total, ka qenë nota e parë që një juri jo zyrtare e Eurovizionit i ka dhënë këngës shqiptare, duke e futur Shqipërinë në vendin e 20-të nga 39 këngë që do të konkurrojnë gjithsej këtë vit në Eurosong. Në postimin e fundit të votave në Webfaqen zyrtare janë vënë re disa prej shteteve më të favorizuara sivjet, të cilat janë Danimarka, Norvegjia, Sllovenia.

Nëse merret parasysh që këto vende janë fqinj me Suedinë, ku do të zhvillohet Eurosong 2013, kjo lë shumë për të dëshiruar, dhe në komente vihen re edhe ankesat e shteteve pjesëmarrëse ku aludohet “për prani të madhe të politikave shtetërore e armiqësive” edhe gjatë vlerësimeve të jurive zyrtare të festivalit. Në Wiwiblogs janë postuar votimet se kush duhet ta fitojë festivalin.

Në krye të listës prijnë përfaqësuesit e Serbisë, ku kënga “Ljubav je svuda” ka marrë rreth 1400 vota, ndërsa Shqipëria ka marrë vetëm 46 vota dhe gjendet në vendin e 34-të. E njëjta webfaqe në datën 26 mars ka hapur një tjetër votim online ku prej votuesve, të cilët duhet ta kalojnë automatikisht në finale nga gjysmëfinalja e dytë. Këtë vit janë konfirmuar 25 shtete pjesëmarrëse, në mesin e tyre edhe Shqipëria.

Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko kanë zyrtarizuar edhe videoklipin e tyre të këngës pjesëmarrëse në festivalin evropian të këngës. “Identitet”, kënga përfaqësuese e Shqipërisë ka marrë rreth 140 mijë klikime në kanalin zyrtar të festivalit në Youtube. Webfaqja zyrtare e festivalit të Eurovizionit në çdo dy javë poston anketa dhe votime nga vizitorët e saj të cilët shfaqin preferencat e tyre për renditjet në netët gjysmëfinale dhe këngët potencialisht finaliste.

Shqipëria, e cila do të paraqitet në gjysmëfinalen e dytë të festivalit, në dy votime kryesore të zhvilluara deri tani ka marrë pak vota. Këto vota e kanë kualifikuar të parafundit para shtetit të Armenisë. Kjo web-faqe, me leje të festivalit krijon një juri, e cila vlerëson të gjitha këngët e festivalit. Nota 2.86, sipas jurisë është një vlerësim i dobët për këngën shqiptarë për disa arsye. 20 sekondat e parë të këngës për shumicën e anëtarëve të jurisë tingëllojnë mirë, por sipas njërit prej anëtarëve të jurisë “kjo këngë dëmton festivalin evropian dhe na bën neve fansave ta urrejmë natën kur do të transmetohet..”...!

AKUZAT

“Kënga e vjedhur” ka ndikuar te votuesit

Eurosong 2013 do të mbahet në Suedi, më datë 14, 16 e 18 maj. Suedia u zgjodh nga fitorja e vitit të kaluar të suedezes Loreen me këngën “Euphoria”. Sejko dhe Lulgjuraj këndojnë të 14-tët në gjysmëfinalen e dytë, midis 17 pjesëmarrësve të tjerë si Azerbajxhani, Armenia, Rumania e Zvicra. 7 nga 17 këngët nuk do të kalojnë në finalen e madhe.

Tekstin e këngës “Identitet” e ka krijuar Eda Sejko, ndërsa jo pak në rrjetet sociale kënga ka marrë kritika edhe për ngjasimin me realizimin “Plavi Safir” të Bajaga-s, që është kompozuar në vitin 1998. Autorët dhe disa muzikantë shqiptarë e kanë kundërshtuar këtë, po bërja mediatike e këtyre akuzave ka shtuar paragjykimet ndaj kësja kënge, të cilat mund të ndikojnë edhe ne rezultatet e 18 Majit në Eurosong 2013.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?