Prej mëse tetë muajsh, përpos pandemisë Covid 19, arti skenik dhe kultura në vend është kyçur. Artistët, të cilët punojnë në institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës, e vlerësojnë këtë situatë thellim të krizës së mbartur nga mungesa e strategjive afatgjata, dhe jo për shkak të pandemisë. Aktori Arben Derhemi për “ReportTV” rrëfen se politikat e Ministrisë së Kulturës nën drejtimin e Elva Margaritit, kanë rënë nga shiu në breshër
“Këtë situatë më shumë se të ndikuar nga COVID 19, po e trashëgojmë nga mungesa e politikave nga Ministria e Kulturës. Nuk e imagjinoja kurrë që pas një pune kaq të lodhshme, sa i përket teatrit apo politikave për teatrin, kulturën dhe statusin e artistit, të arrinim në një pikë, ku interesi i MK është zero për kulturën, aq sa mund të themi se “kemi rënë nga shiu në breshër”. Në facebook nxjerr thënie të njerëzve të famshëm, por MK nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë.
Ato pak projekte që para disa muajsh thanë se do të bëhen, i ngatërruan aq keq me dokumentet, sa që u bënë të mos të bëhen. Nuk japin fonde që të bëhen, por të mos bëhen. Japin fonde për të nisur projektin. Megjithatë, unë personalisht s’kam ndërmend që të bëhem polemik, apo edhe të merrem me ministren, se duket gjithë ajo vajzë”, shprehet Arben Derhemi, aktor në Teatrin Kombëtar.
Derhemi na rrëfen se gjatë këtyre muajve, i është dashur që të bëjë art në kushte të vështira, pasi në çdo derë që artistët trokasin nuk u përgjigjet asnjë, përveç drejtorisë së kulturës në bashkinë e Tiranës.
“Në Tiranë kam dhënë disa performanca dhe shfaqje në oborret e shtëpive muze. Deri më tani, për artin edhe kulturën, për artistët e rinj edhe me eksperiencë, projektet i mundëson vetëm drejtoria e kulturës në Bashkinë e Tiranës. Nuk ka asnjë projekt nga Ministria e Kulturës. Ç’të të them, po bëjmë teatër në kohë të kolerës. Por në kohë të kolerës, jo të Covidit, por në kohët e kolerës në mendim. Duhet të kuptojmë një gjë, se ky popull pa art, kulturë e sport s’do funksionojë normalisht. U bë kohë që merremi veç me politikë edhe reality shoë të tmerrshme. Është fatkeqësi e madhe, dhimbje për çdokënd, që shkojmë kërkojmë lëmosh nëpër televizione apo vende të ndryshme për të punuar. Është fatkeqësi. As në MK s’të përgjigjet njeri. Aktualisht kemi nis një projekt në TK por nuk dihet nëse do ta shoh dritën e skenës apo jo”, thotë Derhemi.
Ndonëse, me mbi 20 vite karrierë në kinema dhe teatër, degradimin e artit dhe kulturës që po thellohet më shumë dita ditës, qoftë përmes përçarjes së artistëve nga politika apo interesave të tjera, Derhemi, e cilëson një fatkeqësi të përbashkët të të gjithë artistëve, që nuk ditën të jenë bashkë.
Arben Derhemi
“Fatkeqësisht nuk ditëm të ishim bashkë. Fatkeqësisht u bëmë dhe vazhdojmë të bëhemi pjesë e politikës. Fatkeqësisht gjithë investimi si artist në këtë profesion që ne kemi, është një sakrificë e madhe, jo vetëm për vete, por dhe për familjen. Por, vjen moment që sheh se në këtë vend s’ka hierarki, nuk konsumohen vlerat e vërteta. Më vjen të qaj, por nuk jap dot përkufizime, sepse mua më takon që të merrem me veten dhe artin që bëj”, përfundon Derhemi.
Arben Derhemi përfundon se pas 8 muajve në Teatrin Kombëtar kanë nisur provat për një shfaqje me regji të Indrit Çobanit e cila nuk dihet nëse do ta shikojë apo jo dritën e skenës.