Sarandë, gjykata liron 6 nga 8 inspektorët e IMT! Dorëzohet në doganë ish-Drejtori! Ishin ndaluar për hotelin 7 katësh pa leje

16 Mars, 14:50| Përditesimi: 16 Mars, 16:14

  • Share

SARANDË- Gjykata e Sarandës la në arrest shtëpie 2 zyrtarë dhe liroi 6 të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre, pasi lejuan ndërtimin e një hoteli pa leje. Ndërkohë sot u dorëzua në një nga pikat e kalimit kufitar edhe ish-Drejtori i ASHK Sarandë, Andri Dhima, ndërsa është ende në kërkim pronari i hotelit, njëkohësisht drejtor i Fondit të Kujdesit Shëndetësor Mariel Murati dhe Kozeta Statha.

Tre ditë pas arrestimit të bujshëm të 8 zyrtarëve në Sarandë dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve për shpërdorim detyre, gjykata e Sarandës ka “shfryrë” dosjen e prokurorisë duke liruar të gjithë zyrtarët nga paraburgimi. Në seancën e sotme për masën e sigurisë, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi hetim në gjendje të lirë për 6 zyrtarë dhe dy të tjerë arrest shtëpie. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi lejuan ndërtimin e një hoteli pa leje.

Ndërkohë ditën e sotme është dorëzuar në një nga pikat e kalimit kufitar edhe ish-Drejtori i ASHK Sarandë, Andri Dhima. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij do të zhvillohet ditën e hënë. Policia vazhdon ende të kërkojë pronarin e hotelit, njëherësh drejtorit I Fondit të Kujdesit Shëndetësor Mariel Muratin dhe Kozeta Stathën, ish-drejtore e ASHK Sarandë. Statha dyshohen për veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa Murati për “ndërtim të paligjshëm”. 

Nga hetimet e prokurorisë së Sarandës rezultoi se zyrtarët e Inspektoratit vendor të Mbrojtjes së Territorit, të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit dhe të Drejtorisë së Kadastrës lejuan dhe legalizuan ndërtimin pa leje të hotelit 7 katësh në pronësi të ish Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati sot drejtor i Fondit të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por kishte ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate. Është pikërisht hoteli që shihni në pamje i cili u vendos në funksion në vitin 2022. Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.

ARREST NË SHTËPI
Ermen Stroka, inxhinier i KADASTRËS
Erald Lika, inxhinier i KADASTRËS
DETYRIM PARAQITJEJE
Viktor Qesari, inspektor i IVMT
Tonin Simoni, ish-inspektor i IVMT
Oltion Durmishi, inspektor i IVMT PEZULLIM NGA PUNA
Denis Balili, ish-inspektor IKMT
Ina Papa, specialiste e Kadastrës
Manushaqe Saliko, ish-inspektore IKMT
DORËZOHET NË POLICI
Andri Dhima, ish-drejtor i ASHK
TË SHPALLUR NË KËRKIM
Mariel Murati, drejtor i FSDKSH
Kozeta Statha, ish-drejtore e ASHK

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?