“Saraçineskat” apo “rubinetat” e drogës?

31 Tetor 2023, 14:45| Përditesimi: 31 Tetor 2023, 14:48

  • Share

Deri më 1986, lufta kundër drogave ilegale kudo në botë ishte përqendruar tek “saraçineskat” e tyre – tek prodhuesit dhe distributorët me shumicë të drogave ilegale. Atë vit, duke përfituar nga efekti publik i mbidozës tragjike të yllit të basketbollit Len Bias, Presidenti Reagan arriti të kalonte në Kongres “Aktin Kundër Abuzimit me Drogën”, që shtoi 1.7 miliardë dollarë për financimin e programit presidencial “Lufta kundër Drogës”. Në thelb të atij programi ishte ideja që drogave u duhen mbyllur “rubinetat”, se pastaj “saraçineskat” nuk do të kenë ku të çojnë më ujë. Ai ligj i 1986-ës vendosi plot 29 dënime të reja penale të detyrueshme për shitjen e drogës me pakicë...

Qysh atëherë, lufta kundër drogave ilegale nëpër botë është lëkundur si lavjerrës nga “saraçineskat” tek “rubinetat”, me rezultate ende të diskutueshme.

Në Shqipëri, duket se lavjerrësi po luhatet së fundmi nga “rubinetat”, me fushatën e policisë për pastrimin e shkollave dhe lagjeve nga qindra shpërndarës të vegjël të drogave ilegale, si dhe me inisiativën më të fundit ligjore të ministrit Balla, për të zgjeruar listën e drogave të ndaluara dhe për të forcuar dënimet penale ndaj shpërndarësve të tyre.

Kjo lëvizje e lavjerrësit të luftës ndaj drogave nga policia dhe ministri Balla duket se është në sinkron me opinionin e gjerë publik, po t’i referohemi një sondazhi që zhvillova për Report TV në mes të tetorit (https://shqiptarja.com/lajm/shperndarja-e-drogave-ne-shkolle-shqetesimi-me-i-madh-per-shqiptaret-i-fundit-kultivimi-i-kanabisit ).

Ai sondazh tregoi se pothuaj 62% e shqiptarëve kanë si shqetësim kryesor shpërndarjen e drogave nëpër shkolla, ndër problemet kryesore që mbulon Policia e Shtetit. Vetëm 24.8% kanë krimin e organizuar dhe 6.4% kanë kultivimin e kanabisit, që janë “saraçineskat” e drogave ilegale.  Nisur nga shqetësimi për bijat, bijtë, motrat, vëllezërit, mbesat e nipërit e vegjël, shumica dërrmuese e shqiptarëve të thjeshtë mendojnë se mbyllja e “rubinetave” në vend është rruga më e shpejtë dhe e sigurtë për bllokimin e linjave të brendshme të drogave ilegale.

Pragmatizmi i banorëve të një vendi të vogël si Shqipëria ndoshta i bën banorët e saj të mendojnë se drogat e tranzituara apo të prodhuara për jashtë janë një problem që mund ta zgjidhin më mirë vendet e fuqishme europiane, që kanë më shumë përvojë dhe mjete për ta zhvilluar luftën kundër drogave ilegale…

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?