Foto ilustruese

Sanksione ndaj Koresë të Veriut pas testimeve raketore

2 Dhjetor 2022, 08:42| Përditesimi: 2 Dhjetor 2022, 08:59

  • Share

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë vendosur sanksione ndaj tre zyrtarëve të lartë të Koreja e Veriut, të lidhur me testimet e fundit raketore. Pheniani ka lëshuar numër rekord të raketave balistike këtë vit – më shumë se 60 – si dhe ka testuar disa raketa balistike interkontinentale.

Jon Il Ho, Yu Jin, dhe Kim Su Gil besohet se kanë “luajtur rol të madh” në zhvillimin e këtyre armëve. Përveç SHBA-së, sanksionet i kanë shqiptuar edhe Japonia, Koreja e Jugut dhe Bashkimi Evropian.

Koreja e Veriut është përballur me sanksione të ashpra të Perëndimit tash e sa vjet. Zyrtarëve të sanksionuar do t’iu bllokohen të gjitha asetet që kanë në Shtetet e Bashkuara.

Në testimin e fundit raketor, të datës 18 nëntor, Ministria japoneze e Mbrojtjes ka thënë se raketa e lëshuar nga verikoreanët ka pasur kapacitet për të arritur në tokën amerikane. Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017 dhe është raportuar se po përgatitet për testimin e shtatë.

Këtë vit, Koreja e Veriut ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore. Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje. Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes./REL

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?