Samuel Eto'o

Samuel Eto'o në telashe, publikohet përgjimi që flet për trukim të ndeshjeve

20 Korrik 2023, 13:03| Përditesimi: 20 Korrik 2023, 13:04

  • Share

Legjenda e Barcelonës dhe ish-kapiteni i kombëtares së Kamerunit, Samuel Eto'o është në telashe. Prej vitesh në postin e presidentit të Federatës së futbollit në vendin e tij, Eto'o lidhet me trukimin e mundshëm të kampionatit, vetëm për të ngjitur një skuadër në elitën e futbollit në Kamerun.

Bëhet fjalë për ekipin e Opopo, i njohur më mirë si Victoria United. Në audio-përgjimin e publikuar, i cili daton në janar 2023, Samuel Eto’o dëgjohet duke u zotuar se do ta çojë klubin në divizionin më të lartë, duke deklaruar: “Opopo duhet të ngjitet në divizionin e parë. Ky është qëllimi ynë (…) Është federata jonë. Jemi katër prej nesh; ju dhe 2 të tjerë. Victoria United do të ngjitet”.

Disa muaj më vonë, klubi u promovua si kampion. Përveç kësaj, disa gjyqtarë u pezulluan nga organi i futbollit. Gjatë sezonit, shumë protesta të arbitrave u ngritën kundër Opopo. Këto zbulime ngrenë pikëpyetje rreth ndikimit të mundshëm të Samuel Eto’o-s në fiksimin e rezultateve të ndeshjeve.

President i Djiko FC dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të “Fecafoot (Federata e Futbollit në Kamerun)”, i dorëhequr tashmë, konfirmon këto shqetësime: “Ajo që më shtyu të jepja dorëheqjen ishte përgjigja e presidentit Eto’o. Fola me të në telefon dhe ai m’u përgjigj: Mund të zbres çdo ekip që dua”.

Biseda në audion kompromentuese të publikuar:

“Më thatë se do të më shoqërosh në udhëtimin tim”, thotë Gëain në telefonatën me Eto’o, teksa i ankohet presidentit për një sërë gabimesh arbitrare ndaj klubit të tij.

“Duhet të jeni i qetë, – i përgjigjet ish-sulmuesi i Interit, – apeloni, ne do t’ju kthejmë tri pikët dhe do të pezullojmë arbitrin. Vetëm më jepni kohë të kthehem në Kamerun. Pastaj ejani në zyrën time”.

Presidenti i Victoria Limbe përgjigjet: “Problemi është Foukou, presidenti i komisionit të arbitrave. Ai dërgoi djalin e themeluesit të ‘Tonnerre’ për të drejtuar ndeshjen tonë kundër tyre. Por, a mendoni se është e mundur?”

Përgjigja e Eto’o-s ishte kategorike: “Jo, nuk është e mundur. Klubi ynë duhet të ngjitet në kategorinë e parë, ky është qëllimi ynë. Por duhet të më japësh një dorë, nuk mund të bësh shumë zhurmë, duhet të ruash qetësinë. Nëse u bëra president i federatës, të kam borxh ty dhe dy miqve tanë të tjerë”.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?