James Cleverly

Samiti i Procesit të Berlinit/ Ministri i Jashtëm britanik në Tiranë, në fokus lufta kundër emigrantëve të paligjshëm

16 Tetor 2023, 13:52| Përditesimi: 16 Tetor 2023, 14:04

  • Share

Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly mbërrin sot në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e udhëheqësve të Procesit të Berlinit.

Ministri i Jashtëm do të paraqesë ofertën e veçantë për rajonin, si një partner kyç në ruajtjen e begatisë dhe sigurisë së tij.

Mbretëria e Bashkuar thekson partneritetin në rritje me Shqipërinë, i cili ka ndihmuar në uljen e kalimeve me gomone të shtetasve shqiptar, me 90%, gjatë këtij viti.Udhëtimi i tij nënvizon gjithashtu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor gjatë Samitit të udhëheqesve të rajonit.

Cleverly synon të mbështetet mbi suksesin e partneritetit me Shqipërinë dhe të kërkojë një bashkëpunim të shtuar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka sjellë si rezultat prej nënshkrimit të Komunikatës së Përbashkët, uljen e kalimeve me gomone të shtetasve shqiptarë në Kanal me 90% dhe një rritje domethënese të emigrantëve të paligjshëm, të kthyer në Shqipëri.

Pjesëmarrja e tij në samitin vjetor të Procesit të Berlinit në Tiranë vjen pas zhvendosjes së 600 trupave britanike në Kosovë për të forcuar misionin paqeruajtës të NATO-s, si kundërpërgjigje ndaj shtimit të ushtrisë, përgjatë kufirit Serbi-Kosovë dhe sulmeve të dhunshme kundër policisë kosovare.

Përpara vizitës së tij, Ministri i Jashtëm James Cleverly deklaroi se Mbretëria e Bashkuar është angazhuar për të luftuar bandat që shfrytëzojnë jetë njerëzore për qëllime përfitimi.

“Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar të punojë me Ballkanin Perëndimor për të luftuar bandat që shfrytëzojnë jetë njerëzore për qëllime përfitimi, si dhë të adresojë sfidat e tjera të sigurisë në të gjithë rajonin.

Partneriteti ynë me Shqipërinë po bën pikërisht këtë. Përmes bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese, ne kemi ulur numrin e shqiptarëve që vijnë me gomone, me 90%, gjatë vitit të fundit dhe po kthejmë ata që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Mbretëria e Bashkuar do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme, e cila qëndron krah më krah me rajonin, për të promovuar një të ardhme të begatë dhe të qëndrueshme”.

Ministri i Jashtëm do të theksojë edhe rolin unik të Mbretërisë së Bashkuar duke mbështetur begatinë dhe sigurinë e rajonit- nga forcimi i qendresës kundër veprimtarive keqbërëse, ndërhyrjeve dhe sulmeve kibernetike tek zhvillimi ekonomik si dhe duke punuar krah partnerëve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ministri i Jashtëm britanik do të shfrytëzojë rastin në këtë Samit- ku marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverive nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe nga Europa- për të nxitur partnerët ndërkombëtarë të jenë të palëkundur në solidaritetin e tyre ndaj Izraelit dhe të drejtës së tij themelore për t’u mbrojtur kundër HAMAS-it.

Gjatë kohës së qëndrimit në Tiranë, James Cleverly do të nxisë marrëdhëniet mes Mbrëtërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Ai do të mbështetet mbi Komunikatën e Përbashkët të dakordësuar mes kryeministrave Rishi Sunak dhe Edi Rama në dhjetor 2022. Komunikata përcakton fushat e reja të bashkëpunimit në zbatimin e ligjit dhe kthimin e atyre që kanë arritur në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik.

Në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Ministri i Jashtëm, krah Ministrit të Brendshëm shqiptar do të çelë zyrtarisht Komisariatin e Policisë, Rinas, ku ndodhet edhe Task Forca e Përbashkët e Emigracionit, përgjegjëse për koordinimin e masave dhe veprimeve operacionale, për të luftuar kontrabandistët dhe trafikantët e qenieve njerëzorë, të cilët bëjnë kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar.

Për të shtuar marrëdhëniet tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Ministri i Jashtëm do të promovojë Dhomën Britanike të Tregtisë në vend. Dhoma do të ndihmojë në rritjen e ekonomive të të dy vendeve, do të lançohet në një event në Ëestern Balkans University, një institucion i arsimit të lartë, i cili po zhvillon partneritete me universitetet britanike dhe po u jep bursa të gjithë atyre që ndjehen nën presion për t’u larguar nga Veriu i Shqipërisë.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?