Sali Shehu firmosi koalicionin me Bashën/ Pas largimit të Bamir Topit, shkrihet dega e FRD në Tiranë

2 Mars 2021, 10:09| Përditesimi: 2 Mars 2021, 15:58

  • Share

TIRANË- Pas dorëheqjes pak ditë më parë të Bamir Topit nga drejtimi i Frymës së Re Demokratike, parti të cilën e krijoi dhe e drejtoi pas largimit nga posti i presidentit në vitin 2012, e gjithë dega e Tiranës ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. 

Menjëherë pas marrëveshjes që Sali Shehu firmosi me Lulzim Bashën për të bashkëpunuar për zgjedhjet e 25 prillit pa marrë më parë miratimin e strukturave të partisë, dorëheqja e Bamir Topit është pasuar me shkrirjen e degës së kësaj partie në Tiranë, e cila ka pasur edhe peshën më të madhe elektorale.

Duke filluar nga Kryetari i kësaj dege, Andi Seferi e gjer tek anëtarët e saj, kanë firmosur dorëheqjet e parevokueshme duke u larguar përfundimisht nga FRD. 

Sali Shehu s'kishte mandat nga kryesia për të firmosur dhe ka dalë kundër vullnetit të saj duke u bërë pjesë e koalicionit opozitar "Aleanca për Ndryshim". Prezenca e tij në selinë blu mbrëmjen e 24 shkurtit i ka habitur të gjithë, kjo për shkak se nga viti 2011 Berisha dhe Topi kanë artikuluar akuzat nga më të rëndat kundër njëri-tjetrit. Bamir Topi ka deklaruar disa herë se Basha është marrë peng nga Berisha dhe vepron e mendon si shefi i tij.

"Aleanca për Ndryshim" e finalizuar dje nga Basha përmban një marrëveshje mes PD dhe 12 aleatëve të saj. Pjesë e këtij koalicioni, janë PR e Fatmir Mediut, LZHK-ja e Dashamir Shehit, FRD e Bamir Topit, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit, Balli Kombëtar i Artur Roshit nga opozita parlamentare, PBLD e Arjan Starovës, PBD e Ylber Valterit, PLL e Shpëtim Axhamit dhe PKD e Dhimitër Muslias.

Koalicioni '‘Aleanca për ndryshim"
PD, kryetar Luzim Basha (Udhëheqëse e koalicionit)
PAA, kryetar Agron Duka
LZHK, kryetar Dashamir Shehi
FRD, Bamir Topi
PBDNJ, kryetar Vangjel Dule
PR, kryetar Fatmir Mediu
Balli Kombëtar, kryetar Artur Roshi (Pjesë e opozitës parlamentare)
PDK, kryetar Nard Ndoka
PDIU, kryetar Shpëtim Idrizi
Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova
Bashkimi Demokrat, Ylber Valteri
Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami
Kristian Demokrate, Dhimitër Muslia 

Dokumenti i dorëheqjes

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?