Sako: Si u realizua filmi artistik
për radiolojën “Liqeni i Vajkalit”

18 Dhjetor 2013, 08:15| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Vitet ’60 shënojnë fillimin e filmave të parë artistikë shqiptarë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi “Tana” njihet zyrtarisht si filmi i parë shqiptar, por ndër tre filmat që çelën serinë e filmave artistikë, të cilët janë; “Tana” e regjisorit Kristaq Dhamo, “Fëmijët e saj” i regjisorit Hysen Hakani dhe “Detyrë e posaçme e regjisorit Kristaq Dhamo, ky i fundit sipas njërit prej piktorëve të parë të filmit shqiptar është “filmi i parë i mirëfilltë artistik”. Ndërsa shohim se ky film është dekoruar edhe me Urdhrin e Klasit të Parë, duke ndjekur rrëfimin e kostumografit dhe babait të pikturës së filmit, Shyqyri Sako, kuptojmë se me çfarë shkalle të lartë profesionalizmi nisën të bëheshin piktura e filmit, kostumet, skenografia, fotografia dhe xhirimet.

Por si në çdo punë që niset nga para, nuk mungojnë edhe risqet dhe peripecitë që rrëfehen në këtë intervistë, por as grotesku, kur në Shqipërinë e varfër të asaj kohe nuk gjendej një as një makinë apo shtëpi luksoze për të krijuar imazhin e vendeve të zhvilluara të Perëndimit. Shyqyri Sako tregon sesi arritën të merrnin makinën e Kadri Hazbiut dhe rezidencën verore të vet Enver Hoxhës për të mundësuar xhirimet e një filmi.

Nga rrëfimet e Shyqyri Sakos zbulojmë edhe një seri paradoksesh të kohës dhe rrethanave socio-politike, siç janë blerja e qindra kostumeve origjinale kombëtare, të cilat sot janë zhdukur pa asnjë gjurmë nga kinostudioja. Intervista me Shyqyri Sakon vjen pas hapjes së ekspozitës së tij me pikturat e filmave në vite në galerinë “Kledio”, Tiranë. Sako na tregon ndër të tjera se filmi “Detyrë e posaçme” ka qenë një nga filmat më të kushtueshëm të asaj periudhe. Por cili ka qenë shkaku i këtyre shpenzimeve. Mësohet se filmi “Detyrë e posaçme” është bazuar në ngjarje reale të viteve ‘50. Bëhet fjalë për një punonjës të sigurimit që infiltrohet në një grup të agjenturave të huaja që bashkëpunonin për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Në film personazhi merr emrin Tomor, por në realitet ky film i kushtohej Asim Alikos, i cili kishte pikërisht këtë pseudonim. Asim Aliko mori pjesë në radiolojat më të famshme të Sigurimit të Shtetit të njohura me emrat “Liqeni i Vajkalit”, “Buza e Bredhit” dhe “Fronti i Rezistencës”. Ai ka punuar për shumë vjet në postet drejtuese të Sigurimit të Shtetit. Mbante pseudonimin Tomori dhe njihej si njeri që pinte shumë. Ka bashkëpunuar më misionet e tij me Heroi e Popullit Hekuran Pobrati.

Në film personazhi Tomori luhet nga Ndrek Luca, i cili gjatë xhirimeve është nën asistencën Asim Alikos, i cili është kthyer në një hero për Sigurimin e Shtetit, sepse duke fituar besimin e agjenturave të huaja zbulon dokumente sekrete baza dhe mjete komunikimi. Babai i pikturës së filmit Shyqyri Sako, na kthen përmes kësaj interviste 50 vite pas në sheshin e xhirimit të njërit prej filmave të parë të Kinostudios, ku u përfshi Sigurimi i Shtetit dhe gjithë qeveria. Ai tregon çfarë ka ndodhur në të vërtetë me “Detyrë e posaçme”, një nga filmat e parë artistikë të Kinostudios “Shqipëria e re”
 
 
Zoti Sako, piktori i filmit qëndron paksa në hije gjatë premierave, por ja kjo ekspozitë me pikturat e filmave në vite dëshmon talentin tuaj. Pse zgjodhët të jeni piktor filmi?
-Unë kam qenë me studime në Moskë, Instituti i Kinematografisë i Rusisë. Studiova tre vjet, pastaj u prishën marrëdhëniet dhe e mbrojta diplomën në Institutin e Arteve. Sa mbarova Kristaq Dhamo më tha: “Hajde se të presim, ti je i përgatitur dhe kemi nevojë për ty. Bëhet fjalë për një film shumë të vështirë.” Dhe filmi ishte vërtetë shumë i vështirë. Problem ishte veshja e diversantëve që hynin në Shqipëri. Këto veshje ishin mister për mua, ku t’i shikoja. Atëherë vajta në Ministrinë e Brendshme dhe më dhanë katalogët me veshjet e tyre. I qepëm sipas skicave dhe nuk dalloheshin se ishin qepur në Shqipëri apo ishin blerë jashtë. Kurse veshjet e fshatarëve dhe malësorëve i kisha në rregull.
 
Si prezantoheshin në katalogun e veshjeve të Ministrisë së Brendshme veshjet e diversantëve?
-Ishin komplet fytyrat e tyre, jo vetëm veshjet. Ishte fotografia e Hetem Çakos me shokë. Por mua më duheshin veshjet, nuk më duheshin tipat. Me zor më lanë. Duhej të merrej një leje speciale të shihje katalogun.
 
Kush iu ndihmoi?
Ministri i Brendshëm. Regjisori Kristaq Dhamo më qëndronte shumë afër. Kishim shumë punë për të bërë. Duhet të shkonin më Malësi që të kërkonim kostumet e malësorëve. Ato ishin shumë të çmuara për ta, se i mbanin për vdekjen. Por në një farë mënyre u joshën nga lekët dhe ne u blemë atyre me 30-40 mijë lekë.

Vlera e tyre është shumë më e shtrenjtë, dhe unë mendoj se i dhanë për një copë bukë. Për filmin do të qëndronin me ne edhe oficerët e Sigurimit të Shtetit, Asim Aliko dhe Mark Dodani. Asimin e kishim gjatë gjithë kohës si konsulent se ai ishte heroi real për të cilin po bëhej ky film. Për Asim Alikon kishim dëgjuar se ai hynte në bandat e të arratisurve dhe bënte atje ligjin, duke i shtirur si njëri prej tyre. Ai bashkë me Mark Dodanin na tregonin se çfarë të mbanin në dorë, çfarë objektesh përdornin të arratisurit për të dhënë një përfytyrim të saktë.
 
Meqë ky është filmi i parë për ju, besoj se dhe kujtimet janë të paharrueshme, apo jo?
-Po. Kanë kaluar 40 vjet dhe megjithatë mua më kujtohen çaste interesante, si nisëm të bënim dekorin me Ksenofon Dilon dhe Grigor Ikonomin. Dekori u bë në plazh në Vlorë, se atje do të përfaqësonin agjenturën jashtë shtetit dhe ambientet duhet të ngjanin. Më kujtohet sesi ne me ditë të tëra po prisnin makinën e Kadri Hazbiut, sepse ishte e vetmja makinë luksoze, e ngjashme me ato që kishin të pasurit jashtë shtetit dhe ai nuk na e jepte. Por duke pritur atë makinë që s’po vinte, ne kishim mbetur pezull, pa punë. Kristaqi na jepte lajmin, “edhe sot nuk vjen makina, bëni plazhin”. Kjo puna e vonesës shkoi një muaj dhe ne u kënaqëm me plazh.
 
Po pse nuk u kthyet në Tiranë dhe të vazhdonit kur t’ju jepej makina?
-Nuk mund të vinim në Tiranë, se makina e Kadri Hazbiut mund të vinte papritur të nesërmen. Ne ishim të detyruar të prisnin aty, por nuk na doli keq pritja (Qesh). Më vonë na doli për hundësh kënaqësia që morëm nga plazhi, sepse shkuam për xhirime në Malësi, në të gjitha vendet që personazhet kishin vuajtur, shkuam të vuanin edhe ne. Vajtëm në Rrazëm, vajtëm në Mirditë. Luante Sandër Prosi rolin kryesor, kolonelin Xhon, që përfaqësonte kryeagjentin e Perëndimit që dërgonte diversantë në Shqipëri. Mirëpo gjenerali duhej të shfaqej në ambiente luksoze, ndaj janë bërë përpjekje të mëdha për të luajtur filmin.  Ne kemi arritur të bënin xhirime edhe tek vila e Enver Hoxhës në Vlorë.
 
Vërtetë?!
-Po. U shfrytëzua rasti, kur ai dhe familja e tij ishin në Tiranë dhe na u dha leja të bënim xhirimet atje. Sesi na e dhanë mundësinë, habi qe, por lejen e morëm nëpërmjet Mehmet Shehut. “Mirë, -tha, - xhironi!”. Ne pamë vilën e Enver Hoxhës dhe na iku mendja...
 
E vizituat të gjithë vilën. Çfarë ju ra në sy?
-Këto Xhirime ishin të kursyera. Na lanë vetëm pak ambiente, jo të gjitha. Xhiruam në një ambient hyrës, ku Sandri zbriste shkallët, por nuk bëmë shumë xhirime nëpër mure. Por ama, aq sa pamë na iku mendja nga luksi.
 
Pastaj nga Vlora shkuat për xhirime në Razëm...
-Në Razëm qëndruam në kampin e punëtorëve. Aty hanim, aty pinim, dhe me ne ishte edhe Asim Aliko, i cili e kishte qejf pijen dhe thoshte: “Po nuk piva një shishe raki, e kam të vështirë t’ju rrëfej”. Asim Aliko, ishte konsulenti numër një. Rrinte pranë xhirimeve dhe na jepte atmosferën. Gjithmonë xhirimi bëhej natën. Luanin aktorët Viktor Gjoka me Mitat Fagun, por Ndrek Luca ishte kryesori se luante Asim Alikon. Ndrekë Luca ishte aktor me shumë kërkesa ndaj vetes.
 
Si u prit filmi në atë kohë?
-Ishte i suksesshëm, dhe edhe sot është ruajtur mirë, edhe pse ishte i pari ndër filmat e Kinostudios. Dhimitër Anagnosti ishte operator që kishte mbaruar për regji. Kemi xhiruar katër muaj në Kosanë të Shkodrës. Ne e dimë se ç’kemi hequr, se pothuajse të gjitha skenat ishin natën. Aty kisha shumë punë me veshjet e aktorëve. Kam blerë xhubleta atje. Ishin xhubleta origjinale. I gjurmonin se ata i jepnin me dhimbje, i mbanin për vdekjen, dhe për më tepër xhubletat donin shumë mund për t’u bërë. Xhubletat origjinale ishin një gjë e rrallë. Malësorët viheshin në siklet, se zakoni ishte që duhet t’i vijë vdekja gjyshit, ose gjyshes, që të hapeshin arkat ku i mbanin. Kemi blerë shumë veshje edhe në Mirditë. Me firmën time unë kam blerë nja 30 kostume, për të cilat lekët i jepte shteti. Ishin të gjitha origjinale, pronë e kinostudios.
 
Po tani janë në kinostudio kostumet?
-Janë zhdukur, mund të ketë mbetur vetëm një. Kur ne e blinim një kostum ishte një gëzim i madh. Bisedonin me malësorët dhe nuk ishte e lehtë t’ua shkëpusje nga dora, për ta ishte një gjë e çmuar. Por për filmin po bëheshin shumë shpenzime. Tani që mendoj se çfarë vlere kishin, më vjen keq, se ata i shitën fare lirë kundrejt vlerës reale. Ato sot mund të kushtojnë pesëqind mijë, ose një milion. Por nuk janë vetëm kostumet që bleva unë që kanë humbur. Në filmin “Skënderbeu” janë mbledhur në gjithë Shqipërinë rreth 500 kostume kombëtare, të cilat nuk i ktheu rusi, kur u prishën marrëdhëniet me Rusinë.

Të gjitha kostumet ishin origjinale, të punuara me mund e përkushtim, se ato njëherë bëheshin në jetën e një njeriu dhe trashëgoheshin deri në fund të jetës.  Dhe kushtonin jo vetëm si material, por edhe mundi i punës. Në malësi na tregonin se duhej një vit punë për të bërë xhubletën. Kishte motive dhe gdhendje të rralla copa në të zezë. Ato i mbanin me kujdes i palosnin me erëza, dhe kur i nxirrnin nga arka iu dridheshin duart. Rusët i blenë këto kostume, sepse dekoret u bënë në Moskë Film. Dhe, me kostume kombëtare nga gjithë Shqipëria duhej të visheshin figurantët ishin të shumtë dhe kostumet duheshin nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Donika ishte nga Berati, kishte aty kostume myzeqare, kostume të veriut, etj.
 
Po pse, ju nuk mund të qepnin imitacione, por duhej patjetër të luanit me kostume origjinale?
-Për këtë film po angazhohej e gjithë qeveria. Ndaj çdo gjë duhej të ishte shumë serioze, punohej me detaje, që nga skenografia, piktura, madje hynte në punë dhe arkitektura se llogaritej çdo gjë; hapësirat, pozicioni i kamerës dhe shumë e shumë detaje të tjera. Puna ishte e madhe. Mua më është dashur shumë mund që nga kostumograf e skenograf të kaloja një gradë më të lart, në piktor filmi. Me ikjen e Ksenofon Dilos dhe Grigor Ikonmomit në ato vite unë bëra edhe kostumet edhe piktorin e filmit.
 
Cili ka qenë filmi më i vështirë për ju?
-Çdo film ka specifikat e veta që duhet ta vrasësh shumë mendjen. Më kujtohet se në filmin “Kapedani” kam pasur shumë punë. Mendo Albert Vërria ka qenë 30 vjeç atëherë dhe në film duket sikur është më plak se sot. Por piktura ime te “Kapedani” desh më futi në telashe se kisha bërë shtëpinë e balerinës shumë moderne. U argumentova atyre që bënin censurën politike se ajo është balerinë, artiste, si të thuash shpëtova për fije. Filmi “Kapedani” kishte skena shumë të vështira për xhirime, sidomos detajet me ëndrrat e xha Sulos.  

Kush është Shyqyri Sako
Ka punuar 40 vjet në Kinostudion “Shqipëria e re” dhe ka bërë kostumet dhe pikturat e 40 filmave artistikë. Shyqyriu e ka nisur punë  me Grigor Ikonomin dhe Ksenofon Dilon. Ata ikën dhe Shyqyri mbetet babai i skenografisë. Kinostudios iu shtuan të tjerë skenografë më vonë, por Sako i përgatiste. Ai ishte i aftë të bënte gjithçka. Në fillim e nisi si piktor kostumesh, pastaj mori filmat në dorë, në kohën kur po niste e era e re e filmit artistik shqiptar. “Në vitin 1963, megjithëse kinostudioja kishte 10 vjet që kishte nisur nga puna, nuk kishte filma artistikë. Dhe “Detyrë e Posaçme”  ishte i pari film i mirëfilltë artistik për mendimin tim”, shprehet Sako.
 
 Shkrimi u publikua sot (18.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?