Periferi

Sa i bukur Jugu ynë, por Shteti ka ikur me pushime?

15 Korrik 2019, 18:08| Përditesimi: 16 Korrik 2019, 10:56

  • Share

Një udhëtim drejt bregut të Jugut tonë është përherë një festë. Nisja në një orë pa trafik, koha e bukur, misrat e pjekur mirë nga nënat shamibardha në Rrogozhinë, bypass-i i Fierit do të jetë një superlehtësim dhe është edhe tani edhe pse i papërfunduar mirë. Pastaj shkëlqimi i Vlorës, përmirësimi i saj sa vjen e më shumë të emocionon, Llogaraja e freskët dhe unike për të ndalur e për të shijuar paninet e përgatitura me lezet nga miqtë e huaj; ndërsa unë për vete me të pazëvendësueshmen bukë me djathë, gjalp, vezë të zier e domate kastravec. Pastaj biseda me një djalë nga Vlora që vjen e na përshendet e na pyet nëse kemi nevojë për diçka. Po punon në verë në Llogara dhe pret të vazhdojë studimet e larta për Biznes dhe Ekonomi. "A mund t'jua ofroj unë kafenë", ofrohet, ndoshta i erdhi keq që po hanim "bukën n'trastë" e kushedi si ju dukëm të gjithë bashkë që hanim në këmbë e nuk ishim ulur në një lokal.

Që nga hera e kaluar, kur në një nga lokalet e bukur me pamje fantastike në Llogara, na mashtruan me cilësinë e mishit dhe të produkteve të ofruara, që kur nuk japin asnjë kupon tatimor, kemi vendosur të mos hamë asgjë aty. Pronarët e lokaleve në atë zonë të jashtëzakonshme duhet të ndjehen me fat dhe të bëjnë garë me njëri-tjetrin se kush e kush të ofrojë cilësi të garantuar dhe të lartë. Por mesa duket askush nuk i kontrollon dhe ata përfitojnë në kurriz të turistëve që nga ajo anë kalojnë.

Asnjë kupon tatimor edhe në lokale e hoteleri në breg, ose fare pak. Zyrtarë të lartë, ministra e zëvendësministra i has të hanë e flenë kudo, por a u bën përshtypje kjo situatë? A shqetësohen në ç'nivel janë ende shërbimet dhe si po degradojnë ato gjëra të mira që janë bërë? Dikush prej tyre, e ngre këtë problem diku? I shqetëson?

Kazanët e plehrave janë plot edhe në mesditë. Në Dhërmi pjesa e shëtitores, e konceptuar bukur me gurë dhe ujë është kthyer në një moçal me kufoma bretkoshash në të. Mesa duket administrata bën sikur ofron shërbime, dhe privatët - ndoshta me të drejtë - bëjnë sikur paguajnë detyrimet që kanë.

Shtetin nuk e has asgjëkundi në bregdet: janë zhdukur kullat e vrojtimit dhe rojet bregdetare. Nuk vendosen kufij ku mund të lahen pushuesit dhe ku fluturojnë motorrë e skafe që lëvizin mes notuesve. Turistë të huaj has kudo në bregdetin shqiptar: Të rinj nga Australia, Austria, amerikanë, polakë, italianë, gjuhët që dëgjon sa vijnë e shtohen, por a janë turistë që do të rikthehen, që do të qëndrojnë?

Çmimet tona janë ende konkurruese me rajonin, kuzhina e mirë në disa vende, pastërtia diku perfekte e diku çalon, por ajo që është e pakonceptueshme në 2019 është mungesa e rregullave elementare të administratës dhe Shtetit. Asgjëkundi nuk shkruhet për rreziqe apo kujdes nëpër shpellat natyrore. Duhet të futen skafe në Shpellën e Piratëve për shembull, apo jo? Asnjë kosh për të hedhur mbeturina nëpër gjire. Janë njoftimet dhe prania e shenjave të shtetit që i bën pushesit të ndjehen të mbrojtur e jo të braktisur, siç aktualisht ndodh. Dhe Shteti nuk ndjehet vetëm nga prania e ministrave dhe zëvendministrave (të dallueshëm nga të gjithë) teksa shullohen në jug në diell duke provuar verëra të shtrenjta të ofruara (urojmë që jo) kushedi se pse.

 

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?