GJKKO

Ryshfet për tenderin te Ministria e Shëndetësisë, Apeli i GJKKO lë në qeli inxhinierin që i çoi zarfin me 330 mijë lekë Sekretares së Përgjithshme

30 Qershor 2023, 10:10| Përditesimi: 30 Qershor 2023, 11:05

  • Share

Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lë në fuqi masën e arrestit në burg për Silvi Shehin, inxhinierin e kompanisë së Vladimir Topit që u arrestuan se korruptuan sekretaren e ministrisë së Shëndetësisë Joana Duron.

Silvi Shehi u arrestua në 4 qershor, 2 ditë pas arrestimit të Joana Duros. 

Ndërkohë kujtojmë se vetëm tre ditë pas arrestimit, Shkalla e Parë liroi Vladimir Topin, pronarin e firmës që i dha paratë Shehut për t'ia çuar kryesekretares Duro. Shkak për lirimin e tij është bërë mosha e thyer 73-vjeçare.

Në burg për aferën me tenderat, ndodhen ende Joana Duro dhe specialistja e lartë e shërbimeve publike Laureta Shteto. Pikërisht kjo e fundit, sipas SPAK, është personi që kishte marrë zarfin me 330 mijë lekë të cilat u dhanë si ryshfet për tenderin e supervizimit të 16 qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës, e fituar nga kompania “Dricons” e Vladimir Topit.

Skema e korrupsionit
Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inixhinerit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Shteto dhe inixhinieri i kompanisë 'DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi.  Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë 'DRICONS’, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndaj Vladimir Topit dhe inixhinierit të kompanisë së tij, rëndon akuza për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?