Rusët e fillojnë votimin në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave s'vihet në dyshim

15 Mars, 08:19| Përditesimi: 15 Mars, 17:03

  • Share

Rusët filluan të votojnë të premten në ditën e parë të zgjedhjeve presidenciale treditore, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren tanimë.

Ai do ta zgjasë sundimin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi secili kundërshtar i tij serioz s’u lejua të garojë kundër tij nga Kremlini, i cili po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe mospajtuesve.

Zgjedhjet, të cila nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta, janë të parat që mbahen në Rusi prej se Putini e nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt 2022.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë ditës, votuesit do hedhin votat e tyre në gati 100.000 qendra votimi në 11 zona kohore të vendit, si dhe në rajonet e Ukrainës të cilat i aneksoi jashtëligjshëm Moska.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.

Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë.

Në një sondazh të bërë nga VTSIOM Neës në fillim të marsit, 75 për qind e qytetarëve që kanë për qëllim të votojnë, thanë se votën do t’ia hedhin Putinit, ish-oficerit të inteligjencës së jashtme të KGB-së.

Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burgim të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht./ REL

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?