Gramoz Ruçi

Ruçi uron kryeparlamentarin portugez Rodrigues për Presidencën e BE-së: Tryeza e Parë Ndërqeveritare do të mbahet së shpejti

5 Janar 2021, 12:19| Përditesimi: 5 Janar 2021, 12:26

  • Share

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetarit të Asamblesë së Portugalisë, z. Eduardo Ferro Rodrigues, në të cilën e uron për marrjen e Presidencës së BE-së

“Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Portugalia, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe në emrin tim personal Ju uroj një lidership të suksesshëm e rezultativ.

Bashkimi Europian, Europa dhe bota mbarë ndodhet sot në një fazë të rëndësishme të përballimit të pandemisë së Covid-19. Dalja nga pandemia dhe shërimi i pasojave të saj është shpallur më të drejtë si prioritet i Presidencës së Portugalisë. Ne kemi besim se kjo do të arrihet nëpërmjet tranzicionit të kujdesshëm klimaterik dhe digjital dhe fuqizimit të kolonave të një Europe sociale e solidare, të hapur ndaj botës si edhe ndaj vendeve e rajoneve që aspirojnë t’i bashkohen familjes europiane.

Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të integrimit europian. Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në mars 2020 për hapjen e negociatatve për anëtarësimin e Shqipërisë, i bazuar  në përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit, është një inkurajim për të vijuar me përkushtim në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit. Gjatë vitit që sapo u mbyll ne arritëm suksese të rëndësishme drejt plotësimit të rekomandimeve të Këshillit Europian, si përfundimi i reformës zgjedhore, bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese etj. Organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë janë tashmë funksionale dhe plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë është në proces. Ne kemi besim se, duke u nisur nga këto arritje madhore, Tryeza e Parë Ndërqeveritare do të mbahet sa më shpejt gjatë Presidencës së Portugalisë.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?