Foto ilustruese

Rritja e popullsisë në SHBA me shkallën më të ulët në vitin e parë të pandemisë

21 Dhjetor 2021, 21:18| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 21:31

  • Share

Rritja e popullsisë në Shtetet e Bashkuara ra në shkallën e saj më të ulët në historinë e vendit gjatë vitit të parë të pandemisë pasi koronavirusi kufizoi imigrimin, vonoi shtatzënitë dhe shkaktoi vdekjen e qindra mijëra banorëve të vendit, thuhet në një raport të publikuar të martën.

Popullsia e Shteteve të Bashkuara u rrit me vetëm 0.1%, duke u shtuar me vetëm 392,665 banorë, nga korriku i vitit 2020 deri në korrik të vitit 2021, thuhet në raportin e publikuar nga Byroja amerikane e Regjistrimit të Popullsisë.

Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar rritje të ngadaltë të popullsisë prej vitesh, por pandemia e ngadalësoi më tej këtë prirje. Vitin e kaluar ishte hera e parë që nga viti 1937 që popullsia e vendit u rrit me më pak se 1 milion njerëz.

"Rritja e popullsisë është ngadalësuar për vite me radhë për shkak të shkallës më të ulët të lindjeve dhe zvogëlimit të imigracionit, ndërkohë që normat e vdekshmërisë po rriten për shkak të plakjes së popullsisë së vendit", tha Kristie Wilder, një demografe e Byrosë amerikane të Regjistrimit të Popullsisë. "Tani, me ndikimin e pandemisë COVID-19, ky kombinim ka rezultuar në një ritëm historikisht të ngadaltë të rritjes së popullsisë", shtoi ajo.

Shifrat e popullsisë llogariten në bazë të numrit të lindjeve, vdekjeve dhe imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Për herë të parë, shkalla vjetore e imigrimit ndërkombëtar tejkaloi atë të lindjeve. Gjatë vitit të fundit, pati një rritje të numrit të popullsisë me 245,000 banorë nga imigracioni dhe vetëm rreth 148,000 banorë nga lindjet.

Mes vitit 2020 dhe 2021, 33 shtete amerikane shënuan rritje të popullsisë, ndërsa 17 shtete të tjera dhe Distrikti i Kolumbias, ku ndodhet kryeqyteti i vendit, Uashingtoni, patën një rënie të numrit të banorëve./VOA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?