Rritja e pagave në shtet e privat, si ndikon inflacioni? Në 2024 të ardhurat për frymë arrijnë 876.6 mijë lekë

26 Nëntor 2023, 19:49| Përditesimi: 26 Nëntor 2023, 19:59

  • Share

Çdo banor vitin që vjen pritet të fusë në xhepin e tij 46.8 mijë lekë më shumë se ky vit. Në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2024 Ministrisë së Financave parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto për banor do të jetë 876.6 mijë lekë, nga 829.8 mijë lekë që pritet për këtë vit. Pra paga mesatare (sektori shtetëror +privat) për vitin 2024 përllogaritet në rreth 73 mijë lekë në muaj, nga 70.9 mijë lekë e përllogaritur nga INSTAT për këtë vit.

Ky përmirësim pritet të vijnë nga rritja e punësimit, përmirësimi i pagave dhe performanca pozitive e ekonomisë në tërësi. Por kjo rritje e të ardhurave zhvlerësohet nga inflacioni i lartë, kryesisht ai i ushqimeve, për shkak se pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve shkon për produktet e shportës.

Vetëm si pasojë e inflacionit pagat në sektorin shtetëror sipas INSTAT vjet u zhvlerësuan me 4.5%, kjo për shkak se rritja e pagave ishte 2.2%, ndërkohë që inflacioni kapi shifrën 6.7%.

E njëjta gjë ndodh edhe me pagat e sektorit privat, ku në fund të qershorit paga mesatare ishte 65.901 mijë lekë, nga 62.198 mijë lekë që ishte në fund të vitit 2022, duke u rritur me 3.773 lekë ose rreth 5.4%. Nga ana tjetër në 6 mujorin e parë të këtij viti inflacioni krahasuar me vitin e kaluar u rrit me 5.56%, pra më shumë se paga mesatare.

Edhe pse të gjitha institucionet presin ulje të inflacionit në vitin që vjen, Banka e Shqipërisë kërkoi nga qeveria gjatë shqyrtimit në parim të buxhetit, të mos ulet vëmendja ndaj çmimeve, pasi mbetet sfida kryesore, që redukton mirëqenien dhe gërryen fuqinë blerëse të familjeve.

Madje banka vlerëson se gjendemi përballë rrezikut të një vale të dytë inflacioni për shkak të tensioneve të jashtme gjeo-politike, si lufta që nuk po ndalet në Ukraine apo tensionet në Lindjen e Mesme.

 

 

 

 

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?