Rritja e normës bazë të interesit, do të forcojë lekun! Eksperti: Stabilizimi i çmimeve do arrihet kur të shtohet oferta në treg dhe rritet konkurrenca

3 Prill 2022, 22:35| Përditesimi: 3 Prill 2022, 22:42

  • Share

Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, nga 0.5% që ishte prej 2020, në 1% këtë vit, për ekspertët është instrumenti i vetëm që ka banka për të ndërhyrë në situatën e rritjes së çmimeve. Kjo masë pritet të rrisë pozitën e lekut në raport me monedhat e huaja, dhe importet të jenë më të lira, pasi në rastet kur leku forcohet harxhohet më pak për të importuar mallra nga jashtë. Në këtë mënyrë do të reduktohej edhe inflacioni i importuar.

Por nga ana tjetër eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se kjo masë e Bankës së Shqipërisë do rrisë normat e interesit për kreditë dhe shërbimet e tjera bankare.

“Bankat do të jenë më të kujdesshme në përzgjedhjen e klientëve të tyre sepse mund të ekspozohen ndaj një zone risku. Ndikim tjetër i rritjes bazë të interesit duhet parë tek shtrenjtimi i shërbimeve bankare, dhe jo vetëm të kostos së kredisë”, thotë Preçi.

Rritja e ofertës në treg dhe konkurrenca vlerësohen si treguesit kryesor në uljen e çmimeve.

“I vetmi rregullator i çmimeve është kërkesë oferta. Mekanizmi i vetëm i çmimeve është nxitja e konkurrencës”, tha Preçi.

Preçi thotë se problem në kushtet e krizës së çmimeve është edhe ulja e punësimit për shkak të kostove të shtuara të bizneseve.

“Ndër shqetësimet të sotme është rritja e çmimeve, reduktimi i vendeve të punës dhe për rrjedhojë këto sjellin ulje të konsumit. Kjo situatë emërtohet ndryshe stagflacion një nga format më të papërshtatshme të një vendi”, pohon ai.

Ekspertët propozojnë që përpos bordeve dhe rishikimit të buxhetit, të merren në konsideratë edhe rishikimet e taksave, e nga ana tjetër fondet e parashikuara për shpenzime të ndryshme të shkonin për të rritur rezervat ushqimore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?