Mirela Karabina

Rritja e çmimit të naftës, PD: Vjedhje e pastër në xhepat e qytetarëve, qeveria të ndalojë abuzimin

9 Tetor 2023, 12:23| Përditesimi: 9 Tetor 2023, 12:24

  • Share

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina deklaroi sot se Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë të naftës në rajon, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë paguajnë 7 taksa për çdo litër karburant, nivel rekord krahasuar me vende të tjera në botë.

Në një deklaratë për mediet, Karabina u shpreh se një pjesë e këtyre taksave shkon në arkën e shtetit dhe dy prej tyre për kompanitë koncensionare.

“Rritja e çmimit të naftës në tregun shqiptar është vjedhje e pastër në xhepat e qytetarëve, për sa kohë që vendet e tjera e kanë më lirë se ne dhe ulja e çmimit në bursë nuk reflektohet në ndryshimin e çmimit te ne. Ne jemi në mesin e 25 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë edhe pse jemi prodhues, të tri vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në Europë dhe me çmimin e naftës më të shtrenjtë në rajon”, theksoi ajo.

Sipas Karabinës, qeveria e ka në dorë uljen e çmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohësisht taksa të caktuara, taksa të cilat po vështirësojnë çdo ditë jetesën e shqiptarëve.

“Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët paguajnë shumë më tepër taksa për një litër naftë krahasuar dhe me vendet e rajonit. Ulja e çmimit të karburantit do të ishte një lehtësim për vështirësinë që po kalojnë familjet shqiptare dhe që po i detyron të largohen nga vendi.

Mungesa e politikave të përshtatshme dhe mbështetjes me fonde buxhetore ka sjellë varfërinë e qytetarëve”, theksoi ajo.

Karabina i kërkoi institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar rritjen abuzive të çmimit të karburanteve.

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ema: 09/10/2023 13:20

    keta kane rrjedhur te gjithe si parti

    Përgjigju
  • Ina: 09/10/2023 12:53

    Keto skane pune tjeter te opozites,vec mashtrime thone

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?