Rritja e çmimeve si pasojë e luftës, Sejko takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore: Sanksionet ndaj Rusisë kanë sjell një realitet të ri ekonomik

4 Prill 2022, 14:40| Përditesimi: 4 Prill 2022, 15:48

  • Share

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim përfaqësuesit e Bankës Botërore. E pranishme në takim ishte Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore (BB) për vendet e Ballkanit Perëndimor me qendër në Vjenë, Linda Van Gelder, si edhe përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas.

Diskutimet e këtij takimi u përqendruan në situatën e krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi dhe ndikimin që ajo pritet të ketë në ekonominë shqiptare. Sejko u shpreh se ashtu si dhe në shtetet e tjera, sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues global.

Guvernatori theksoi se pas analizave të kryera nga Banka e Shqipërisë, ky realitet i ri ekonomik diktoi rishikimin e projeksioneve të mëparshme ekonomike dhe rivlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vlerësoi të nevojshëm ndryshimin e kahut të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike, e cila synon të krijojë kushtet e nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.

Në vijim, diskutimet u ndalën në ecurinë e inflacionit, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike.

Lidhur me ecurinë e çmimeve, Guvernatori theksoi se ajo do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria po zhvillohet në kushte normale dhe treguesit e këtij sektori paraqiten të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e BB-së vlerësuan pozitivisht reagimin e menjëhershëm dhe në kohën e duhur të politikës monetare të BSH-së, e cila ndihmoi në qëndrueshmërinë e monedhës vendase, si dhe do të japë efektet e saj pozitive edhe në vijim.

Më tej, ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të ofrojnë asistencë teknike për Bankën e Shqipërisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?