Rritja e çmimeve, rishikohet buxheti i vitit 2022! 6 mld lekë për paketën anti-krizë, shtohet me 20 mld lekë për faturën e energjisë

14 Mars 2022, 14:00| Përditesimi: 14 Mars 2022, 17:02

  • Share

TIRANË- Kriza e çmimeve e ndikuar nga lufta Rusi-Ukrainë, ka sjellë rishikimin e parë të buxhetit të shtetit për vitin 2022. Nëpërmjet një akti normativ qeveria ka vendosur të rrisë me 10 miliardë lekë të ardhurat dhe shpenzimet, ndërkohë që ka mbetur i pandryshuar deficiti buxhetor. 

Në ndryshimin e buxhetit është saktësuar në nenin 11 se fondi për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës është 6 miliardë lekë. Ky fond parashikon përballimin e çmimeve të rritura të karburantit, rritjen e pagës minimale si dhe indeksimin e pensioneve.

Qeveria ka vendosur që fondin për indeksimin e pensioneve ta rrisë, nga 2.5 miliardë lekë që ishte parashikuar në 3.3 miliardë lekë.

Në aktin normativ është përcaktuar edhe fondi prej 20 miliardë lekësh që do të përdoret për faturën e rritur të energjisë elektrike, duke e çuar në total buxhetin që do të përdoret për krizën energjetike në 28 miliardë lekë, pasi 8 miliardë lekë ishin parashikuar që në buxhetin fillestar.

Nëpërmjet këtij rishikimi, qeveria parashikon rritjen e të ardhurave tatimore me 10 miliardë lekë për këtë vit. Nga 360,5 miliardë lekë që ishte parashikimi në ligjin e buxhetit, tanimë parashikimi ka shkuar në 370.5 miliardë lekë.

Burimi kryesor ku mund të merren të ardhurat janë TVSH dhe akciza, duke reflektuar edhe çmimet e rritura që kanë impakt pozitiv në rritjen e  të ardhurave nga këto dy taksa. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të rriten me 7 miliardë lekë ndërsa nga akciza me 2 miliardë lekë. Rritje është parashikuar edhe nga të ardhurat e biznesit e konkretisht të tatimit mbi fitimin.

Nga ana tjetër fondi rezervë është ulur nga 2.9 miliardë lekë në 2 650 milionë lekë, po ashtu është reduktuar edhe fondi për “Emergjencat civile”, nga 810 milionë lekë që ishte në 600 milionë lekë.

Të ardhurat
Buxheti 1                   536,811 mld lekë
I rishikuari              546,811 mld lekë
Fillestari                +10 mld lekë
Shpenzimet
Buxheti 1                   637,694 mld lekë
I rishikuari              647,694mld lekë
Fillestari                +10 mld lekë
TVSH
Buxheti 1                   166,061 mld lekë
I rishikuari              173,061 mld lekë
Fillestari                  +7 mld lekë
Akciza
Buxheti 1                   56,478 mld lekë
I rishikuari              58,478 mld lekë
Fillestari                 +2 mld lekë
Tatimi mbi fitimin
Buxheti 1                  37,586 mld lekë
I rishikuari              35586 mld lekë
Fillestari                 +2 mld lekë

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?