Rritja e çmimeve e referencës për banesat, PL: Tjetër vjedhje

31 Korrik 2023, 14:30| Përditesimi: 31 Korrik 2023, 18:49

  • Share

Vendimin e Qeverisë për të rritur çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë, Partia e Lirisë e ka konsideruar një mënyrë tjetër që qeveria ka gjetur për të vjedhur shqiptarët. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Silva Caka, tha se rritja është bërë arbitrare dhe pa studim të mirëfilltë.

“Qeveria ka gjetur përsëri një mënyrë për të na vjedhur, kësaj radhe nëpërmjet rritjes së çmimit të referencës së apartamenteve. Nëpërmjet një vendimi të vitit 2018, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, çmimet e referencës së apartamenteve do të rriten me 54% në të 32 zonat e Tiranës dhe rrjedhimisht do të reflektohet edhe në taksën që secili nga ne paguan për pronën që posedon, si individët, ashtu edhe bizneset.

Madje nga kjo taksë nuk do të shpëtojnë as ata qytetarë që jetojnë me qera, pasi kjo taksë, si shumë taksa të tjera të rritura në mënyrë arbitrare, do të vilet nëpërmjet faturës së ujit, duke treguar edhe një herë se binomi i vjedhjes qeveri-bashki, rri çdo natë pa gjumë për të shpikur mënyra të reja vjedhjeje.

Taksa për çmimin e referencës për qytetarët do të shkojë 0.05% e këtij çmimi, ndërsa për bizneset, kjo vlerë kap shifrën e 0.15%.

Kjo rritje e çmimit të referencës dhe në mënyrë derivative edhe e taksës që vilet prej tij, në mes të vitit, pa paralajmërim dhe pa një studim të mirëfilltë të tregut apo efekteve financiare të tij, sjell çudira në çmimet që kapin apartamentet në disa zona të konsideruara si më të frekuentuarat e të banuarat në Tiranë, madje, në zonën e Bllokut, çmimi i një metri katror do të shkojë mbi 2 milionë lekë të vjetra, kur dihet që kjo zonë ka një numër të konsiderueshëm apartamentesh, të cilat janë ndërtuar përpara 60 vitesh.”- tha Caka.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?