Rritet sërish çmimi i cigareve 
20 lekë më shumë për një paketë

2 Tetor 2014, 08:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Vendoset për herë të dytë brenda vitit rritja e çmimit të cigareve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, midis të tjerave, u miratua edhe një projektligj për ndryshimin e regjimit të akcizave, i cili parashikon rritje edhe me 20 lekë për një paketë cigare të akcizës së duhaneve.
Ndryshimi i akcizës është parashikuar të kalojë në Kuvend për miratim dhe bën pjesë në planin e përshkallëzuar deri në vitin 2017 për t’ju afruar nivelit minimal të akcizës së duhanit në vendet e BE-së.
 
Akciza
Në Shqipëri akciza llogaritet mbi çmimin e shitjes dhe është 4.500 lekë për 1.000 cigare. Në rajon kjo taksë llogaritet mesatarisht nga 20–37% të çmimit të shitjes. Akciza e cigareve u rrit me 20 lekë për paketë duke filluar nga 1 janari, si pjesë e paketës fiskale, por rritja e reflektuar në treg ka qenë më e lartë, deri në 50 lekë për paketë. Rritja e taksave për disa produkte të ashtuquajtura të luksit, mes të cilave edhe cigaret, vjen si përmbushjen e kërkesës së FMN dhe si zbatim i një direktive të BE që rekomandon se niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit me pakicë.  
 
Shëndeti
Sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, një masë e tillë do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve. “Është e provuar tashmë botërisht që duhanpirja është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe po ashtu, edhe të kancerit të mushkërive”, tha ai. Sipas Beqajt, në vendet e zhvilluar regjimi fiskal i produkteve të duhanit është një nga elementët që ka rezultuar i suksesshëm në frenimin e duhanpirjes. Edhe pse akti, në fakt, formalisht është akt fiskal - sepse po ndryshohet ligji i akcizave respektivisht për pjesën e duhanit, - qeveria beson se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por dhe impakt, po ashtu, social dhe ekonomik, u shpreh ai.
 
Kryeministri
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e konsideroi dje uljen e shifrave të konsumit të duhanit si “një tregues inkurajues, që do të përmirësohet akoma përmes rritjes më tej të akcizës së cigareve”. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama deklaroi se “edhe zbatimi rigoroz i ligjit antiduhan është pjesë e kësaj beteje të programuar për uljen afatgjatë të sëmundshmërisë nga konsumi i cigares”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?