Rritet kërkesa për kredi! Bizneset marrin hua për investime, qytetarët për shtëpi

20 Tetor 2023, 14:09| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 16:10

  • Share

Zgjerimi i aktivitetit prodhues dhe nevoja për të kryer investime të reja, i ka shtyrë bizneset të kërkojnë më shumë kredi pavarësisht normave të larta të interesit.  Në një vrojtim i kryer nga Banka e Shqipërisë, thuhet se në tremujorin e tretë të vitit është regjistruar rritje e kërkesës për kredi si nga bizneset ashtu edhe individët, madje nuk janë frenuar as nga normat e rritura të interesit.

“Kërkesa për kredi e bizneseve vijoi të raportohej e lartë, pavarësisht faktit se vijuan të mbeten të pranishëm disa faktorë që dekurajojnë kërkesën për kredi, të tillë si ambienti i normave të larta të interesit, si edhe disponueshmëria e likuiditeteve të larta nga ana e bizneseve”, thuhet në vrojtimin e bankës.

Por edhe pse kërkesa nga bizneset ka qenë në rritje, banka thotë se ka edhe sipërmarrje që janë stepur për të marrë kredi për shkak të normave të larta të interesit si dhe të perspektivës ekonomike.

Ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë më shumë kredi për blerje banese, madje pritet rritje e kërkesës për kredi deri në fund të vitit si për shtëpi ashtu edhe për konsum.

Gjatë muajve Korrik-gusht-shtator, bankat tregtare kanë ndryshuar qasje ndaj kredidhënies për bizneset dhe për individët, duke lehtësuar kushtet.

“Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan në tremujorin e tretë të vitit. Kushtet çmim u lehtësuan nga marzhet më të ulëta mbi kreditë normale. Kushtet joçmim u lehtësuan nëpërmjet kërkesave më të ulëta për kolateral, si edhe shtimit të madhësisë së kredisë. Faktorët e tjerë joçmim u raportuan të pandryshuar.”, thuhet në raport.

Një qasje e tillë sipas vrojtimit ka ardhur si pasojë e përmirësimit të situatës makroekonomike në vend dhe pritshmërive për të ardhmen.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?