Rriten kreditë e këqija, shkak, çmimet dhe këstet e larta! BSH: Niveli i huave me probleme në janar ishte 34,8 mld lekë

11 Mars, 12:01| Përditesimi: 11 Mars, 14:30

  • Share

Viti 2024 ka nisur me rritje të nivelit të kredive me probleme krahasuar me fundin e vitit 2023. Banka e Shqipërisë raporton se në janar kreditë që nuk po paguhen arritën në 4.8% nga 4.7% që ishin në fund të vitit 2023. Niveli i huave me probleme deri në fund të muajit janar përllogaritet në vlerën 34,8 miliardë lekë.

Këto luhatje të nivelit të kredive me probleme për bankën e Shqipërisë janë të pritshme për shkak të inflacionit të lartë dhe të normave të interesit që janë rritur.

“Kushtet e shtrënguara financiare janë përcjellë në ngadalësimin e kërkesës agregate dhe konsensusi i tregjeve sugjeron se normat e interesit janë në maksimumet e veta në këtë cikël normalizimi. Rritja e normës bazë të interesit në muajin nëntor ka pasur një pasqyrim më të shpejtë në çmimin e kredisë për individë dhe më të ngadaltë në çmimin e kredisë për biznese. Rritja e interesave ka qenë e dukshme në kreditë për individë, ndërkohë që rritje e interesave të kredive për bizneset është vërejtur vetëm në segmentin e kredive me madhësi mesatare ”, thotë Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të vitit 2024.

Në fund të vitit të kaluar interesi për kreditë e reja në lekë u rritën në 6.5%, kryesisht në segmentin e kredive nga 35 deri në 140 milionë lekë. Ndërsa interesi për kredinë konsumatore në fund të vitit 2023 ishte 9.8% nga 9.3% që ishte në tremujorin e tretë, dhe po ashtu u rritën interesat edhe për kreditë hipotekore nga 4.1% në 4.4% në muajin dhjetor.

Rritja e kostove të kredisë, pra shtrenjtimi i këstit si pasojë e normës së rritur të interesit, dhe nga ana tjetër shtrenjtimi i vazhdueshëm i ushqimeve, po ndikon negativisht në xhepat e qytetarëve, të cilëve u është cenuar aftësia paguese.

Cilësia e kredisë mund të ulet edhe në muajit e ardhshëm duke marrë në konsideratë pasiguritë për të ardhmen, sa i takon inflacionit dhe tensioneve gjeo-politike.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?