Rriten çmimet nga lufta, shqiptarët konsumojnë më pak! Bie me 14.7% volumi i mallrave të importit

31 Gusht 2022, 16:15| Përditesimi: 31 Gusht 2022, 16:21

  • Share

Konsumi është vënë në pikëpyetje nga çmimet e larta të mallrave që vijojnë të rriten dhe për pasojë tregtia ka filluar të tkurret. Nga janari në korrik sipas të dhënave të tregtisë volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara është ulur me 14.7%. Rënia më e madhe e tregtisë është regjistruar nga mallrat që vijnë në rrugë hekurudhore me 29.7%, ndjekur nga mallrat e transportuara në porte me -14.1% dhe ato nga ajri që janë ulur me 0.3%. 

Por pavarësisht se kemi blerë ma pak mallra, çmimet e larta, kanë rritur edhe faturën financiare në krahasim me një vit më parë. Për këtë shkak pavarësisht se tregtia bie në sasi, importet dhe eksportet rriten në vlerë monetare. Në 7 muaj importet në vlerë janë rritur me 23.9% dhe eksportet me 40.1%, krahasuar me vjet vetëm për shkak të çmimeve.

Rënia e konsumit ishte e paralajmëruar edhe më herët nga institucionet vendase dhe të huaja, pasi rritja e çmimeve gërryen xhepat e konsumatorëve, të cilët me të njëjtën sasi parash blejnë më pak mallra. Nga ana tjetër importet me çmime të larta janë edhe shkaku kryesor për rritjen e inflacionit në Shqipëri. Banka e Shqipërisë thotë se inflacioni i importuar është rreth 11.1%.

“Inflacioni i importuar evidentoi një zgjerim të dukshëm, i ndikuar nga efektet e trashëguara të pandemisë dhe pasojat e luftës në Ukrainë”, thotë Banka e Shqipërisë.

Por pavarësisht rritjes së çmimeve Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon me 13.2%, ndërsa më i larti është në Bosnje-Hercegovinë me 24.2%.

Transporti i mallrave në 7 muaj

Në hekurudha       -29.7%
Në porte               -14.1%
Në ajër                    -0.3%

Tregtia e mallrave

Import                            528 mld lekë
Eksport                           293 mld lekë
Deficiti tregtar                235 mld lekë

Inflacioni në Ballkan

Shqipëria                          13.2%
Bosnje Hercegovina         24.2%
Kosova                              19.2%
Mali i Zi                            23.1%
Maqedonia e Veriut          21.5%
Serbia                                19.3%
 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?