Nëse deri dje udhëtimi nga Korça në Fier kushtonte 1 mijë lekë, tashmë secili prej pasagjerëve do të paguajë 200 lekë më shumë në transportin urban.
‘Kjo është llahtari jo rritje, nuk dimë me kë të llafosemi, me këtë mbështetemi. Është shumë e vështirë për të paguar të gjitha detyrimet që ne qytetarët kemi. Po nuk punuan shoferët nuk do të ketë lëvizje sepse edhe nafta sa vjen dhe po ngrihet, nuk e përballojmë dot.’- tha një qytetar.
‘E papërballueshme! Rrogat nuk janë rritur fare, çmimet kanë vajtur në stratosferë. Vetëm me protesta, të rrëzohet kjo qeveri. Çfarë të bëhet tjetër?’- u shpreh një qytetar tjetër.
Por kjo nuk është linja e vetme që ka pësuar rritje të biletës, pasi edhe për itinerarin Korçë-Pogradec pasagjerët duhet të paguajnë 50 lekë më tepër. Rritje, shoferët paralajmërojnë jashtë kamerave edhe për lidhjen me Devollin, nëse situata me rritjen e çmimeve të karburanteve vijon të ketë tendencë rritje.
Qeveria vendosi mbulimin me 100 lekë për litër të karburantit të përdorur nga sektori i transportit publik që në muajin mars. Por drejtuesit e shërbimeve të transportit urban e cilësojnë të pamjaftueshme, çfarë ka çuar në rritje të vlerave të biletave në disa destinacione.