Politikë

Rrëzuan ankimimet për zgjedhjet në 3 qarqe, PD kërkon përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor: S’garantojnë paanshmëri për 6 paditë e tjera

7 Qershor 2021, 14:23| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 18:39

  • Share

Teksa Kolegji Zgjedhor ka vulosur zgjedhjet në 3 Qarqe të vendit, Berat, Vlorë e Gjirokastër duke rrëzuar kërkesat e opozitës si të pabazuara në prova dhe ligj, Partia Demokratike kërkon përjashtimin e 7 nga 8 gjyqtarët e Kolegjit  nga procesi i shqyrtimit të padive të saj për zgjedhjet e 25 prillit.

PD kërkon përjashtimin e gjyqtarëve Alma Kolgjoka, Asim Vokshi, Emona Muçi, Esmaralda Çika, Gentjan Medja e Manjola Xhaxho dhe Sokol Ibi.

Në një kërkesë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, PD pretendon se këta gjyqtarë nuk garantojnë paanshmëri në gjykim për 6 paditë e tjera që pritet të shqyrtohen brenda këtyre ditëve.

"Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve e Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për Gjirokastrën, Vlorën dhe Beratin. Me vendinet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgedhore te 25 prillit. Refuzimi i i kërkesave të PD për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme te PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS. Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumenton se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qendrim. Kjo bën që vendimet e tyre për 6 paditë e tjera të PD të jenë të paracaktuara, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për një proces të paanshëm. PD vlerëson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur 3 herë me radhë  kundër kërkesës së PD për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë", thuhet në deklaratën e PD.

Kujtojmë se 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor u përzgjodhën me short, ku emrat e pretendentëve u futën në gogla dhe u tërhoqën një e nga një përpara kamerave, përfaqësive politike, gjyqtarëve e ndërkombëtarëve. Në total ishin 16 kandidatë, mes të cilëve, u përzgjodhën vetëm 8.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?