Rreziku i koronavirusit, OBSH: Shqipëria ka marrë masat e duhura

14 Shkurt 2020, 15:58| Përditesimi: 14 Shkurt 2020, 15:59

  • Share

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me parandalimin e koronavirusit, ndërsa është shprehur se kjo organizatë do të ofrojë ndihmë teknike nëse do të paraqitet nevoja. Gjatë inspektimit të masave në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Abebayehu Mengustu, ka vlerësuar gatishmërinë dhe masat e marra nga ministria për parandalimin e koronavirusit, edhe pse vendi paraqet rrezikshmëri të ulët.

'Zyra e OBSH do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi juaj nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët', tha Mengustu gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Masat e marra për parandalimin e koronavirusit në Shqipëri janë vlerësuar edhe nga Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore i publikuar nga 'The Economist', ku 'Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara'.

Në lidhje me parandalimin e virusit vdekjeprurës, Ministria e Shëndetësisë ka trajnuar 475 punonjësve të sistemit shëndetësor, ndërsa vijon trajnimi për epidemiologët në të gjithë vendin. Ministria ka raportuar më herët se 6 raste që janë dyshuar me koronavirus, kanë rezultuar negativ, ndërsa është kryer vlerësimi i 180 shtetasve në pikat kufitare, të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën. Në Aeroportin e Rinasit janë kontrolluar 88 persona dhe asnjëri nuk ka paraqitur shenja të koronavirusit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?