Rrëfim 'dashurie' për mësimdhënien! 'Zysh' Lirika: Më mungojnë fëmijët që mësova për 42 vite

7 Mars 2020, 14:24| Përditesimi: 7 Mars 2020, 14:41

  • Share

 “Ti bësh të lehta gjerat e vështira”, ky është ai nocion që do të përkufizonte më së  miri e në kuptimin më të plotë  figurën e mësuesit në ditën e tyre.

Sot është 7 Marsi, një ditë në vit për të shprehur mirënjohjen  ndaj prindërve të dytë, mësuesve. Një ditë në vit, kur gjithë shoqëria reagon dhe shpreh respekt ndaj atyre që mbjellin Ardhmërinë . Në këtë ditë feste te veçantë ku e gjithë shoqëria bashkohet për të nderuar mësuesit që kanë aq shumë ndikim në formimin e brezave që rriten, në një rrëfim për Report TV, ish-mësuesja e anglishtes  Lirika Lleshi, tregon kontributin e një jete në gjimnazin Petro Nini Luarasi .

“Gjithë jetën time ia kushtova profesionit të mësuesisë. Një detyrë fisnike, që merret me edukimin e brezit të ri, që të mban shpirtin gjallë, që të jep energji, dhe forcë ashtu siç unë e kam vazhduar për 40 vite me rradhë duke mësuar, duke dhënë dije por në të njejtën kohë duke fituar ata dashuri, mirësi”, thotë mësuesja.

Teksa ndjehet nostalgjike për 42 vitet e saj të kaluara në mësimdhënie mësuese Lirika, tregon me emocion se fillimet e saj në vitin 1972 qenë të vështira për të, por se me kalimin e ditëve, muajve, viteve koha e mësoi ta dashuronte këtë profesion, i cili ende sot i mungon në kujtimet që ruan. 

“Fillimet e punës kanë qenë të vështira, sa të mbarosh studente, të vazhdosh e të dalësh në profesionin tënd të nderuar mësues është e vështirë. Vështirësi sepse nuk e di se ç’është mësimdhënia, pavarësisht kurseve speciale që kishim bërë, prapë se prapë duhet kohë eksperiencë për ta fituar atë. Na u desh një përvoje e gjatë e punës, që të arrinim rezultatet që dëshironim. Kam pasur një klasë kujdestari, që unë e adhuroja në fillimet e punës time. Kishim nxënës të talentuar. Më propozuan në atë kohë, zysh do të bëjmë një dramë. Por ishte një kënaqësi, një klasë kujdestari të realizonte një dramë, ishte shumë e vështirë  në atë kohë por nxënësit tanë kur kanë ëndrra ato i realizojnë”, thotë Lirika Lleshi. 

Në kujtimet e saj nuk mungojnë fotot me nxënësit e saj, të cilët ende sot e kujtojnë atë me respekt dhe dashuri, po as dhurata simbolike e një libri  të marrë nga një  ish-nxënësi i saj këtë 7 Mars.

"Viti i katërt i maturantëve, dalloj Drini Imamin, Akan Hajdinin dhe ky një nxënës shumë i dashur për mua sot drejton një bankë. Kohët e fundit një nxënësi im, sot është poet, më ka dhuruar një libër “Ditari i Gardianit K”, i Sinan Kërpaçit. Ai është poet e ka shkruar mbi 600 poezi”, shprehet ish-mësuesja.

Më 7 mars 1887, u hap në Korçë, mësonjëtorja e pare shqipe e që atëherë kjo festë  është traditë tashmë e çdo shkolle në Shqipëri ku përqafimet, buqetat me lule, dashuria, mirënjohja dhe respekti bëhen bashkë në një ditë të vetme.

“Mësuesve të gjithëve të Shqipërisë, i uroj Gëzuar festën e 7 Marsit. Nëse ka dashuri për profesionin, çdo gjë arrihet. Është një punë e palodhur e mësuesve që kanë bërë e po bëjnë ndër vite”, përfundon mësuese Lirika.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?