Ronaldo vendos rekord të ri, tashmë quajeni 'CR 101'! Vjen fitorja e parë për De Biasin me Azerbajxhanin (VIDEO)

9 Shtator 2020, 12:10| Përditesimi: 9 Shtator 2020, 12:59

  • Share

Tjetër rekord për Cristiano Ronaldon , këtë herë me Portugalinë. Sulmuesi i Juventusit shënoi të dy golat e luzitanëve në fitoren 2-0 ndaj Suedisë në Ligën e Kombeve dhe arriti e më pas kaloi kuotën e 100 golave me ekipin kombëtar. CR7 numëron plot 101 gola me Portugalinë duke vendosur rekord në Europë dhe vetëm iraniani Ali Daei 109 ka shënuar më shumë se ai me kombëtaren. Portugalia e kryeson grupin 3 të Ligës A.

Ndeshja Francë-Kroaci e vlefshme për të njëjtin grup ishte një imitim i finales së Botërorit të dy viteve më parë. Franca e mposhti 4-2 Kroacinë në Paris dhe është me pikë të plota në grupin 3 të Ligës A ashtu si Portugalia. Griezman, Upamecano, Giroud dhe një autogol tundën rrjetën për transalpinët ndërsa Lovren dhe Brekalo shënuan për kroatët.

Në grupin 2 të Ligës A Belgjika është me pikë të plota pasi mposhti me goleadë 5-1 Islandën në ndeshjen e dytë në grup. Dygolësh shënoi Batshuayi dhe nga një gol për Belgjikën e shtuan Witsel, Mertens dhe Doku. Pa gola u mbyll ndeshja tjetër e grupit Danimarkë-Angli.

Ndërkaq erdhi edhe gëzimi i parë në Ligën e Kombeve për ish-trajnerin e Shqipërisë Gianni De Biasi. Azerbajxhani i tij fitoi 1-0 në transfertë ndaj Qipros me golin e Medvedev./ Përgatiti Andi Kapxhiu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?