Romelda Koka: Të rinjtë duhet jenë
të zotët që ta “vjedhin” zanatin

16 Qershor 2016, 07:54| Përditesimi:

  • Share
Romelda Koka, 35 vjeçe punon prej 6 vitesh në fushën e turizmit dhe aktualisht ajo është administratore e agjencisë turistike H&P Travel në Tiranë. Për Romeldën lidhja me këtë punë ka nisur nga pasioni i saj i hershëm për udhëtimet. Në intervistën e saj për suplementin drejt punës ka sqaruar se të rinjtë që e duan ketë profesion mund të bëhen shumë të zotët duke u përkushtuar maksimalisht tek komunikimi për t’iu ofruar klientëve atë që duan.
 
Si është puna juaj?
Merrem me paketa turistike. Normalisht i bie që fluksin e kemi në pranverë edhe në verë. Tani në verë kryesisht merremi me paketat e charter-ave dhe të pushimeve. Janë, si të thuash, pushime individuale të njerëzve. Merremi edhe me këto, por pikësynimin kryesor e kemi te paketat turistike, që janë organizime për të çuar njerëzit jashtë vendit.
 
Ku qëndron suksesi i profesionit tuaj, d.m.th. çfarë duhet të ketë një administratore e mirë që të ketë sukses në treg?
 Kam përshtypjen se pjesa më kryesore është që ta dëgjojë klientin deri në fund për kërkesat që ka ai dhe t’i përshtatet këtyre kërkesave. Nuk mund të ofrosh një shërbim të caktuar, nëse nuk e di se çfarë kërkon klienti.
 
Ju si e keni nisur punën? Si jeni specializuar? Si ju lindi ideja për t’u marrë me këtë punë?
 Gjithmonë kam dashur që të udhëtoj dhe kjo ka qenë dëshira ime më e madhe. Pastaj, kaloi te pjesa e pjesëmarrjes në një agjenci udhëtimesh të licencuar. IATA është një licencë nga Kanadaja për tregun e udhëtimeve. Kjo është licenca kryesore që duhet të ketë një agjent aktualisht.
 
Bëjnë trajnime?
 Ky është një trajnim që është bërë dikur në Shqipëri. Aktualisht nuk bëhet më. Bëhet online. Ata që duan ta ndjekin, e ndjekin online.
 
Çfarë ju mësojnë në këtë trajnim?
 Që nga bërja e biletave të avionit, që dikur bëheshin në mënyrë manuale. Pavarësisht se tani është çdo gjë elektronike, trajnimi fillon që nga kjo pjesë. Pastaj të mësojnë për sa i përket p.sh. itinerareve të trenave (megjithëse këtu në Shqipëri kjo nuk funksionon). Të japin shumë informacione nga gjeografia e botës. Duhet të dish qytetet e kryeqytetet e shteteve, p.sh. por edhe shumë detaje të tjera të vlefshme për këtë profesion.
 
Po me guidë jeni marrë?
 Patjetër që po.
 
Në çfarë vendesh keni bërë guida?
 Kryesisht në pjesën e Ballkanit. Pjesën kryesore të kësaj pune e kam bërë me Korfuzin, Selanikun, Bosnjën. Pastaj kam edhe vendet si Mali i Zi, Dubrovnik. Këto vende kemi si më kryesoret.
 
Nëse një i ri dëshiron të përvetësojë këtë profesion, çfarë karakteristikash duhet të ketë? Çfarë këshillash i jep?
 Ka një diferencë këtu: nëse dëshiron ta bëjë ose nëse vjen thjesht për të qenë prezent. Por nëse do që ta bëjë, minimumi që duhet të ketë është që, të ketë njohuri të gjuhës angleze, të dijë të përdorë kompjuterin. Nëse do, normalisht, mund të ta “vjedhë” zanatin ose t’ia japim zanatin. Kryesisht të zotët janë ata që ta “vjedhin” zanatin, themi ne, sepse ne ia japim bazat, por nuk ia japim të gjitha hollësitë e zanatit. Ndoshta nuk kemi dhe kohë të mjaftueshme për t’ia dhënë të gjitha. Pastaj, duhet të kesh edhe aftësinë e tërheqjes së njerëzve, në kuptimin që të flasësh lirshëm me njerëzit, t’i dëgjosh deri në fund dhe pastaj t’u ofrosh atë që duan. Duhet t’i tërheqësh njerëzit.
 
Një student që ka mbaruar për Gjeografi p.sh, është më i përshtatshëm, për të bërë një guide? Qëndron kjo?
 Dikush që ka mbaruar për histori mund të jetë më mirë, ose një që ka mbaruar për gjuhë të huaj, mund të jetë më i përshtatshëm. Por kjo nuk është thelbësore. Unë, personalisht, nuk kam mbaruar për asnjë nga këto degë. Ka qenë thjesht dëshira ime. Mund të jetë thjesht edhe një person, të cilit i pëlqen shumë të udhëtojë, të cilit i pëlqen gjeografia, historia apo gjërat e reja dhe nuk është i detyruar që të ketë mbaruar studimet pikërisht në këto degë. Mjafton që të jetë i komunikueshëm.
 
Si funksionojnë pagesat në këtë profesion? Janë sipas punës, janë me përqindje apo me paga bazë?
 Në përgjithësi, funksionojnë me paga bazë dhe me përqindje. Ne e fusim përqindjen për ta stimuluar në njëfarë mënyre punonjësit që ata të punojnë më shumë. Pra, kanë një pagë bazë normale, sepse në përgjithësi, këto agjenci nuk kanë paga shumë të mëdha, por kësaj page bazë i shtohet edhe pjesa e përqindjes. Kjo për ta shtyrë edhe punonjësin që të punojë më tepër, por që ta ndiejë edhe efektin ekonomik.
 
Mendon se është një profesion që krijon të ardhura të mjaftueshme për familjen?
Patjetër që po. Nëse i shkon një gjëje deri në fund, po, është një profesion me të ardhura.
 
Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?