Romë, themelohet Observatori
kundër falsifikimit: "Made in Italy"

25 Shtator 2014, 14:00| Përditesimi:

  • Share
ROME- Në kuadër të mbrojtjes së produkteve dhe brendit “Made in Italy” është krijuar së fundmi në Itali "Observatori Kibernetik”. Në thelb, roli kryesor i këtij observatori do të jetë evidentimi dhe më pas paditja në çdo rast shkeljeje dhe falsifikimi të origjinës së shumë produkteve të cilësuara si italiane, kryesisht në zonën e Mesdheut dhe Euroazi.

Integrimi i tregjeve transnacionale i ka dhënë jetë masivisht fenomeneve të tilla si abuzimi me simbolet italiane, duke etiketuar produkte të falsifikuara ose produkte që nuk janë origjinale italiane. Ky është një llojë abuzimi që krijon dëme të pallogaritshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane që kërkojnë të hyjnë apo që tashmë operojnë në tregjet e huaja, por që vazhdimisht janë objektiv sulmesh nga konkurrentë të pandershëm, të cilët dhe shmangin normat e BE-së dhe rregullat tregtare.

Në fakt, janë gjithnjë e më të shumta në numër prodhimet që shfaqin referenca nga Italia (flamuri tringjyrësh italian apo dhe "çizmja", emërtimet e italianizuara) të cilat tregtohen lirisht në tregjet europiane, veçanërisht në Europën Lindore, në Afrikën e Veriut dhe në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, vende ku rregullat e komunitetit europian dhe të OBT-së janë të paefektshme.

“Observatori Kibernetik” ose Shoqata Italiane për Kibernetikën Ekonomike, do të ndërmarrë një sërë masash ligjore dhe strategjike për mbrojtjen e "Made in Italy" jashtë italisë.Gjatë perkursit, shoqata do mund të mbështetet në eksperiencën dhe përkrahjen teknologjike, si dhe në mbështetjen profesionale dhe mediatike të Observatorit Italian, në një zonë që shtrihet kryesisht nga Mesdheu deri në Euroazi.

Gjatë aktivitetit të tij, Observatori Kibernetik do të zbatojë një monitorim konstant ndaj sistemeve kibernetike që kanë për qëllim kryerjen e krimeve të padukshme, përpjekjeve për dizinformacion dhe shpifjeve, si dhe ndaj sulmeve jo-konvencionale të bankave dhe grupeve të interesit. Me synimin e vetëm që të kontribuojë në mbrojtjen e industrisë italiane.

Origjina “Made in Italy” aktualisht ndodhet në një luftë të vërtetë ekonomike, ndaj së cilës kompanitë italiane janë krejtësisht të pafuqishme dhe të cënueshme, kjo pasi teknikat e sistemet e agresionit zhvillohen në mënyrë të shpejtë e me dinamika të paparashikueshme.

made in italy3

(Në foto: Produkt i PIK-ut, Kroaci, që mban flamurin italian pranë emrit "Milanska", duke sugjeruar një referencë të qartë në imitimin e sallamit milanez, por pa patur në fakt asnjë lidhje me produktin e konfeksionuar në Itali)

Gjithashtu aksioni i Observatori Kibernetik do të fillojë dhe në zonën e Ballkanit, kryesisht në dy tregje të integruara Kroaci-Slloveni, të cilat nuk janë plotësisht të inkuadruar me legjislacionin europian për mbrojtjen e produkteve “me origjinë të kontrolluar” ose ndaj reklamave mashtruese.

Të shumta janë produktet që i detyrohen për suksesin e tyre referimit të qartë ndaj italisë dhe cilësisë së brendshme nga e cila rrjedhin, si pozita e tyre në treg dhe ndikimi mbi konsumatorët.

"Edhe pse shpesh herë jurisprudenca komunitare i zvoglon marzhet e mbrojtjes ndaj përcaktimit DOP dhe IGP, mbetet një problem tutelimi i produktit italian. Zgjidhja duhet kërkuar në të drejtën e konsumatorëve për të marrë një informacion të saktë dhe për të mos u mashtruar"- deklaron Mario Emma, avokat i Observatorit Kibernetik që do të ndjekë veprimet ligjore e ndërmarra.

"Nëse një produkt mbi paketimin e tij tregon ngjyrat e flamurit italian dhe emrin 'Milano', atëherë origjina duhet të jetë italiane. Përndryshe, bëhet fjalë për reklame mashtruese që duhet trajtuar e ndiqet në kuadrin legislativ të BE-së si dhe në gjykatat kombëtare, për të kërkuar inkuadrimin real me rregullat tregtare europiane të këtyre produkteve”- ka shtuar avokati Emma.

Për këtë qëllim, Observatori do t`i paraqesë një varg peticionesh Parlamentit Evropian, për të ngritur rastet e shumta të shoqërive nga Ballkani që përdorin në mënyrë të paligjshme referenca të "Made in Italy", ndërsa çdo kompani do të marrë njoftim të qartë për të hequr çdo shenjë abuzive, për të shmangur rishtazi paditjen nga ana e autoriteteve.

Redaksai Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?