Roland Sejko: Metafora
e "Anijes" së eksodeve

4 Nëntor 2012, 12:57| Përditesimi:

  • Share
Ceremonia e hapjes së festivalit të filmit u zhvillua dje në "Kinema Millenium" në orën 17:30, për të vijuar me filmin "Nëntori i dytë", i cili merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për trajtimin e historisë së shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor të vitit 1912, por edhe për shfaqjen për herë të parë të versionit të restauruar. Në programin e festivalit janë përfshirë 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë, 43 filma të studentëve, të cilët do të shfaqen çdo ditë në Teatrin Kombëtar të Komedisë. Komisioni përzgjedhës i filmave përbëhet nga Esat Musliu, Kristaq Mitro dhe Eno Milkani. President i festivalit në këtë 100-vjetor të Pavarësisë është aktori i mirënjohur Robert Ndrenika. Nata e parë e festivalit do të vijojë me filmin "Anija" të regjisorit Roland Sejko që trajton "eksodin e shqiptarëve" drejt Italisë. Sejko në intervistën për “Shqiptarja.com” rrëfen shfaqjen e parë të filmit në Tiranë, metaforën e anijes dhe personazhet...

Roland, si mendon ti, pse anija e eksodit të ‘91-it është bërë një temë kaq provokuese, dhe jo vetëm për kineastët shqiptarë, por edhe kineastët e huaj?

-Anija e eksodit është bërë protagoniste si në jetën shqiptare dhe në historinë botërore. Unë besoj se ata që u nisën nga Vlora në eksodin e gushit të 1991-it e shndërruan atë nga një mjet transporti në një imazh ikjeje, arratisjeje, dhe për vite me radhë kjo anije, qoftë në formën e një gomoje në formën e një skafi, për vite me radhë u shndërrua në simbolin e largimit. Anija mbart një metaforë në vetvete, qoftë si imazh, qoftë edhe si emër dhe jo më kot unë kam vënë në qendër të filmit këtë metaforë që shprehet edhe brenda titullit të dokumentarit, të cilin e kam lënë “Anija”, dhe në italisht thuhet anija. Kjo fjalë ka një kuptim të figurshëm tashmë edhe për italianët, sepse edhe një pjesë e dokumentarit zhvillohet në Itali.

Cila nga ngjarjet reale të eksodit të ka nxitur. Si e keni njohur ju vetë historinë?
-E kam prekur nga afër ngjarjen. Isha dhe unë me atë anije. Për mua ka qenë një ngjarje e prekshme, por nuk ishte vetëm përfshirja ime në të arsyeja e këtij filmi. Nuk mendoj se duhet të jesh i pranishëm, por të ndihmon për të kuptuar gjithçka.

Sa vjeç ishit kur ikët me atë anije?

-Isha 23 vjeç dhe vendosa si shumë të tjerë papritmas e pa kuptuar të isha mes atyre që dëshironin të iknin dhe ëndërronin një botë tjetër, pra vendosa të largohesha.

Çfarë mendoje në ato çaste dhe çfarë gjetët matanë brigjeve?
-Nuk kam dëshirë të flas për këtë gjë. Dua të largohem nga përjetimi personal. Nuk ka një përgjigje të mirë...

Atëherë të kthehemi tek metafora e filmit, për të gjetur përgjigjen...

-Vetë fjala anije mbart një metaforë të bukur. Madje në një farë mënyre edhe më jep kënaqësi si fjalë. Ka këtë tingull të bukur, një ndjesi të bukur, dhe po ta vësh re në të gjitha gjuhët e botës kjo fjalë shprehet në gjininë femërore. Edhe vetë emri edhe vetë metafora ngjallin një ide. Fjala anije në gjuhën angleze ndër gjërat e paanimuara është i vetmi objekt që nuk përdoret emri pavetor “it”, por “she”-ajo. Ndoshta mund të jetë një respekt për mjetin.

Ku e keni shfaqur për herë të parë për dokumentarin?

-Nuk është shfaqur asnjëherë. Shfaqet për herë të parë në Tiranë. Pra filmi ka qenë gati dhe shfaqet për herë të parë në një premierë ndërkombëtare, që për fatin tim të mirë është festivali i filmit në Tiranë. Pas kësaj premiere do të jetë në një festival të rëndësishëm në Itali. Dokumentari është realizuar para një viti e gjysmë dhe pastaj është përfunduar në verën e këtij viti. Pjesëmarrja në një festival të rëndësishëm në Tiranë u organizua falë mbështetjes së kineastëve dhe organizatorëve të festivalit të filmit në Tiranë.

Çfarë rrëfen filmi juaj konkretisht?

-Filmi rrëfen tri eksodet: eksodin e marsit, të gushtit 91 dhe i rrëfen në mënyrë jo kronologjike, nëpërmjet personazheve që kanë qenë protagonistë në këto ngjarje. Personazhet kam shkuar t’i filmojë, pasi i kam rigjetur në bazë të fotografive në Itali, ku kanë ndërtuar jetën vet. Janë disa personazhe, që për mua janë të gjithë të zgjedhur për thjeshtësinë e tyre. Janë njerëz të thjeshtë, të bukur, dhe unë kam pasur një emocion të veçantë kur i kam gjetur, kur i kam zbuluar duke i ritakuar tani. Për mua ka qenë detyrë për t’i rigjetur personazhet. Në eksodin e parë të ‘91-it sheh për çudi fytyra të qeshura, që i ikin një gjejë të keqe dhe kanë shpresë. Këto fytyra të qeshura, ashtu i kam gjetur edhe më vonë. Ata që kanë ikur në ‘91-in, nëse i sheh në foto nuk u ngjajnë imazheve që sheh në eksodin e ‘97-s.

Pra, ju më dolët vetë tek pyetja që kisha gati, ku ndryshon eksodi i 97-s nga i 91-it?
-Kur sheh imazhet, pavarësisht se janë të veshur keq ose të leckosur, vë re se fytyrat e atyre që ikën ne eksodin e ‘91-shit janë fytyra të qeshura, gati të hareshme, që kërcasin me pamjen... Edhe pse të dërrmuar nga udhëtimi i gjatë, të gjithë buzëqeshin dhe janë shprehës në repertorët e mediave, ku sheh vetëm njerëz që e shohin kamerën. Kontrasti i ‘97-s me ’91-shin është madhështor, sepse në ’91-in iknin dhe shpresonin për një ndryshim, ndërsa në ‘97-n ikën nga një realitet i tmerrshëm dhe atje u përballën nga me një realitet po aq të tmerrshëm. Në shumë raste jam kthyer mbrapsht ose më keq akoma rasti më i tmerrshëm në anijen janë fundosur si në anijen Kateri i Radës, edhe këto çaste janë përshirë në film si pjesë e rrëfimit, edhe pse kjo temë meriton një film më vete. Është një nga rastet më të dhimbshme. Por, me sa jam në dijeni një regjisor italian e ka nisur një film me ketë temë, nëpërmjet një skenari të shkrimtarit italian, Alessandro Leogrande, dhe së shpejti do të dalë edhe në shqip. Filmi titullohet “Mbytja e anijes”.

Cilët janë personazhet që keni rigjetur për dokumentarin tuaj. Mund të na tregoni për ta?
-Janë disa personazhe që i kam gjetur atëherë në fotografi dhe i kam gjetur sot se ku ndodhen. Njëra është një vajzë, Majlinda, që ndoshta është imazhi më i bukur i dokumentarit, e sapombërritur në Brindizi. E pashë të fotografuar në bankinën e portit të Brindizit, e ulur në gjunjë me rroba të rreckosura, por me një fytyrë të qeshur, që sheh drejtpërdrejt fotografin që e ka kapur në atë cep të Brindizit. Njëzet vjet më pas e kam gjetur Majlindën me atë fytyrë të qeshur, por sot është mjeke në Milano dhe jeton atje. Një tjetër personazh që u gjet nëpërmjet kërkimeve në arkivat televizive, i cili sapo kishte dhënë në atë kohë një intervistë nga anija ku kishte zbritur Apoloni, ishte 13 vjeç atëherë dhe ky quhet Ivo Kalebota dhe nëpërmjet facebook e gjeta. Sot jeton në Rovigo ku bën DJ-in.

Pra, anija e eksodit e dokumentuar në reportazhet mediatike vijon të prodhojë ende filma, çfarë tregon kjo?

-Një anije shqiptare e eksodit që është pasqyruar në kinemanë ndërkombëtare është ajo e filmit “La Amerika” e Xhani Amelios, i cili pasqyroi në një film artistik eksodin e 91-it, më tepër sesa rrënimin e komunizmit të asaj kohe, dhe u kujtoi me këtë film italianëve një anije tjetër, atë kur vetë italianët u nisën drejt Amerikës. Në vitin 1991 ata që ikën nuk ishim emigrantë, ishin ikanakë. Në momentin që zbritën nga anija u bënë emigrantë. Të paktën ata të 91-it.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?