Rithemelimi bllokoi mbledhjen e komisionit, PD: Berisha ka nisur sulmet nga ballkoni për të penguar Reformën Zgjedhore me anë të enukëve të tij

21 Janar, 20:34| Përditesimi: 21 Janar, 20:48

  • Share

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale ka akuzuar kreun e Rithemelimit, Sali Berishën se pavarësisht se është izoluar në arrest shtëpie, me fjalimet nga ballkoni, po përpiqet që të pengojë Reformën Zgjedhore.

Ai tha se ish-kryeministri po e bën këtë meqë i dështoi plani për të shndërruar PD-në në mburojë të interesave të tij personale, pasi u shpall non-grata nga SHBA e Britania e Madhe dhe u vu nën akuzë për korrupsion pasiv nga SPAK.

"Siç u faktua këto dy vite, pas çdo akuze të Sali Berishës ndaj Partise Demokratike fshihet një pazar, herë tendera e leje ndërtimi e herë pazar politik për të bllokuar reformimin e sistemit politik. E verteta e madhe eshte se Shqipëria sot po vuan nga pakti Berisha-Rama i vitit 2008. Ai pakt e bëri kryeministrin fuqiplotë dhe u hoqi pushtetin qytetareve c’ka reflektohet nga ulja e pjesemarrjes ne zgjedhje nga viti ne vit. Sot Berisha dhe Rama duan ta ruajnë atë pakt, prandaj po bejne gjithçka kunder reformes zgjedhore.

Tashme eshte e qarte se lufta dyvjeçare e Sali Berishës kishte si synim të vetëm për  ta shndërruar PD-në në mburojë te interesave te tij dhe familjes, përballë izolimit ndërkombëtar, sanksionimit non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, përballë akuzave për korrupsion nga SPAK.  Pasi deshtoi, ka nisur serish batarene e sulmeve nga ballkoni për të penguar reformen zgjedhore me ane te eunukeve te tij në parlament”- shkruan Kulluri.

Sipas Kullurit, Berisha ka një tjetër marrëveshje me Ramën të bërë 16 vite më vonë pas asaj të 2008-ës dhe se duhet të tregojë para shqiptarëve nëse është për 4 propozimet e dorëzuara nga PD sa i takon ndryshimeve që duhen bërë në Kodin Zgjedhor. 

"Sali Berisha duhet të tregoje para shqiptareve te verteten nese eshte per:

1- Lista të hapura te deputeteve apo jo?

2- Shqipëria një zonë zgjedhore apo jo?

3- Votim dhe numerim elektronik apo jo?

4- Voten e Diaspores apo jo?

Pse nuk flet sot se çfare reforme zgjedhore kerkon por sulmon verbalisht dhe fizikisht kedo qe i tregon vendin se ku duhet te rrije, pikerisht ne arkivat e Partise Demokratike?

Ai sot duhet t'u tregoje shqiptareve se çfare marrëveshje ka bere per here te dyte pas 16 vitesh me Edi Ramen? Per çfare sistemi i ka ofruar votat e deputeteve te tij “partizane te dalluar” ne parlament për ti siguruar Rames 84 vota, duke deshtuar Komisionin e Reformës Zgjedhore?

Aleanca e kullave nuk e mban dot më peng as Shqipërinë e as PD permes gjuhes arkaike te urrejtjes dhe shantazhit”- përfundon ai në reagimin e tij.

Më 19 janar, ishte planifikuar të rimblidhej komisioni për Reformën Zgjedhore, por mbledhja dështoi për shkak të kaosit që sërish u shkaktua nga deputetët e Rithemelimit dhe grupit të Bardhit, të cilët pretendojnë se nuk janë të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili si nënkryetar i PD-së, është edhe bashkëkryetar i Komisionit.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?