Ivi Kaso në deklaratë

Rithemelimi akuza për ministrinë e Brendshme: 35% të zgjedhësve u është ndryshuar adresa e qendrës së votimit! Synohet manipulimi i zgjedhjeve

31 Mars 2023, 15:55| Përditesimi: 31 Mars 2023, 16:09

  • Share

Rithemelimi ka akuzuar ministrinë e Brendshme për manipulim të listave zgjedhore, duke zhvendosur 35% të zgjedhësve të 14 majit. Sipas Ivi Kasos, sekretarit të Rithemelimit për Çështjet Ligjore, në total 1.276.418 janë zhvendosur nga qendrat e tyre të votimit, në adresa që i di vetëm qeveria por jo qytetarët.

Ai shtoi se ky është i njëjti skenar i vitit 2003 ku zgjedhësve u ndryshohej qendra e votimit pa kërkesën apo miratimin e tyre, me qëllim për të shkaktuar paqartësi tek qytetarët të cilët nuk do orientohen dot se ku duhet të paraqiten për të votuar. 

"Ministria e Brendshme ka manipuluar listat, duke zhvendosur, jo pak por 35% të zgjedhësve të 14 majit. E thënë në numra të saktë: plot 1,276,418 zgjedhës janë zhvendosur në adresa që i di qeveria, por jo qytetarët. Edhe pse Auditi i Komisionerit Zgjedhor e ka zbuluar dhe theksuar këtë shkelje të rëndë, që minon zgjedhjet, Ministria e Çuçit dhe Ramës, vazhdon me të njëjtin plan që do ta kthente 14 majin, jo në ditë zgjedhjesh, por në një Google Maps që ka marrë virus. Ky është skenar i njëjtë me të vitit 2003, ku zgjedhësve u ndryshohej qendra e votimit pa kërkesën, apo miratimin e tyre”- u shpreh Kaso.

Ky veprim sipas Kasos, është zgjedhur me qëllim nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi për të frustruar zgjedhësit në mënyrë që këta të fundit të mos votojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ndryshimi i qendrave të votimit sipas sekretarit të Rithemelimit, cënon rëndë parimin e sigurisë juridike të votuesve dhe ndikon në të drejtën e votës.

“Raportet audituese të ekspertëve zgjedhorë nxjerrin në pah se Çuçi e ka futur në kaos regjistrin e zgjedhësve me qëllim që të frustrojë zgjedhësit, dhe ata të mos votojnë më 14 maj.
Kodi Zgjedhor parashikon qartë procedurat e publikimit dhe njoftimit me shkrim të zgjedhësve, për qendrat e votimit në njësitë përkatëse vendore. Ndryshimi i qendrave të votimit cënon rëndë parimin e sigurisë juridike të zgjedhësit, dhe ndikon direkt në të drejtën e votës. Zgjedhësit janë njoftuar njëherë më parë për qendrën e votimit, dhe vetem kur të paraqiten në atë qendër, do te mësojnë se u është ndryshuar. Kjo do të krijojë radhë dhe pështjellim gjatë procesit të votimit dhe, sigurisht, do të ketë efekt duke e vështirësuar apo penguar ushtrimin e të drejtës së zgjedhjes”-shtoi Kaso.

Në mbyllje të deklaratës, zyrtari i Rithemelimit bëri me dije se për këtë çështje, do të njoftohet OSBE-ODIHR, duke u bërë thittje që të veprojnë për të mos lejuar manipulimin e rradhës në zgjedhje.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?