Rindërtimi/ PD dhe PL akuza qeverisë: Po luan ping-pong me qytetarët! Prej 1 viti, 2500 familje në Durrës, pa bonus qiraje

27 Shkurt, 21:08| Përditesimi: 27 Shkurt, 21:21

  • Share

Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë denoncuar se shumë familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po jetojnë në banesat e dëmtuara. Shkak sipas tyre është bërë vështirësia ekonomike, pasi prej një viti ata nuk po marrin bonus qiraje. PD dhe PL bëjnë thirrje për marrje të masave, para se të ndodhë një tragjedi.

“1 vit borxhe për 2500 familje, 1 vit borxhe edhe për qira-marrësit po detyrojnë qytetarët të kthehen në banesat e tyre të cilat mund të shemben pa një pa dy! Prej mëse 1 viti Bashkia Durrës bën të paditurën se nuk ka një përgjigje nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, kur kjo e fundit i ka bërë të qartë që një vit më parë se “financimet për bonus qiraje do të ndërpriteshin që prej muajit Mars të 2023-shit dhe që prej atij momenti është Bashkia Durrës përgjegjëse për t’i siguruar këto bonuse“. Kjo e zeza në të bardhë e publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës”- thuhet në deklaratën e PD-së së Durrësit.

Ndërsa PL tha se bashkia e Durrësit nuk ka përcaktuar asnjë afat lidhur me përfundimin e rindërtimit të banesave duke u justifikuar para qytetarëve.

“Përgjigjet zyrtare të Bashkisë nuk përcaktojnë afate përfundimi, por përcjellin justifikime, zvarritje dhe ‘lojë ping-pong’ mes tyre edhe Qeverisë. Ndësa banorët e taksapaguesit e Durrësit sakrifikojnë duke rrezikuar një tragjedi të dytë në gërmadhat e shtëpive ku janë rikthyer për të jetuar pa çati e dritare!”- thuhet në deklaratën e PL.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?