Rilindasi/ "Gjin Bue Shpata
princi i madh shqiptar"

17 Korrik 2016, 09:00| Përditesimi:

Shkrimtari Arben Kondi, për më se një çerek shekulli krijimtari të begatë letrare- artistike, numëron 24 vepra dinjitoze, ndër të cilat, edhe “Gjin Bue Shpata, ky princ i madh shqiptar”. Ky është romani I dhjetë  që  ua prezanton këto ditë lëxuesve. Si edhe në veprat e tjera të këtij autori, tema patriotike zë vendin kryesor. Secila vepër është si vërtebër e shtyllës kurrizore të atdhetarizmit  Shqiptar. Shkaku duhet gjendur te autori, i cili është një shqiptar i flaktë i Çamërisë së copëtuar si trupi i  njeriut në dy pjesë: Në Shqipëri dhe në Greqi, mbetur kështu prej shekujsh; një trup e një shpirt i masakëruar  disa herë deri në zhdukje. Kjo gjendje përbën shqetësimin shpirtëror të autorit.

  Ngjarjet vendosën në kohë reale, në territorin e Epirit të Veriut-Gjirokatër-Art- Janinë- Korinth, në Mesjetë në vitet 1350-1400. Përballen në dy luftim me të gjitha mjetet e kohës:  Serbët, në kohën e car Stefan Dushanit (1333-1355vrarë nga shqiptarët e udhëhequr nga Gjin Bue Shpata), kishin shtrirë sundimin pothuaj në gjithë Epirin e Veriut dhe në Greqi, përpiqëshin jo vetëm  ta ruanin, por edhe të pushtonin gjithë popullsinë dhe territorin e tij; ndërsa dy principata shqiptare, ajo e Gjirokastrës  dhe Artës me princ Gjin Bue Shpata dhe e Gjon Zenevishtin në bashkëpunim kishin çliruar një pjesë të Janinës, por synonin edhe çlirimin e plotë të popullsisë dhe të tokave të pushtuara për t`i dhënë liri e frymëmarrje popullsisë autoktone iliro-epirote.

   Ngjarjet luftarake përfshijnë afro një gjysëm shekulli. Ato organizohen dhe zhvillohen nën udhëheqjen e princit Gjin Bue Shpata. Herë më fitore e herë me disfata, nuk pushonin pothuj asnjëherë. Lufta midis serbëve pushtues dhe epirotësve (shqiptarëve)çlirues është e përhershme, paqa e përkohshmë. Autori është njohës i mirë i historisë së kësaj përiudhe, por njëkohësisht edhe mjeshtër i tabllove, ku palët mësyjnë njëra-tjetrin dhe tërhiqen për të mbledhur e marrë forca të reja. Përshkruhet me ngjyra të ndezura dhe të errta jeta në të dy kampët. Në palën pushtuese mbretëron shthurja morale. Në familjen e princit të Janinës Thoma Prejlubovçi i egër, i pamëshirshëm, diktator i paskrupull, i etur për fitore, kurse e shoqja, Maria, një grua moralisht e ultë intrigon të nëntëdhjetë e nëntat për realizimin e epsheve të saj, saqë arrin të vrasë edhe burrin e saj, princin, të vrasë të dashurin, ish roja e të shoqit dhe të martohet  me kushëririn, Ezau Buendelmonte, një latinë venedikas, i cili hyp në fronin e të  shoqit. Aleancës midis serbëve, grekëve dhe turqëve, princi i ri i jep rëndësi të posaçme, ashtu si Thoma Prejluboviçi. Këto forca bashkohën kundër shqiptarëve, sepse vetëm nuk mund t`i përballonin. Bashkimi i tyre ishte i përkohshëm.

   Në palën çliruese përshkruhen marrëdhëniet e shëndosha midis dy princav: Gjinit dhe Gjonit. Lidhjet martesore, (Gjin Bue Shpata i jep të bijën Gjon Zenevishit), forcojnë besimin e ndërsjelltë dhe mbledhin energjitë për të mësyrë pushtuesit me qëllim çlirimin e territoreve dhe shpëtimin e popullsisë autoktone të robëruar.
    Aleanca serbo-greko-turke solli domosdoshmërinë e lindjes natyrale të një besëlidhje  të gjerë gjithë shqiptare. Gjini, në këtë përiudhë luan edhe rolin e një diplomati për marrëveshje jo vetëm me princërit e tjerë shqiptarë, por edhe me shtetet- principata të Venetikut, të Napolit e tj. Bashkë  me  Mursi Markezanin, të cilin e bëri dhëndërr, bëri të pamundurën që të tërheq shtetet brigjeve të Adriatikut për luftë kundër kolacionit serbo-greko-turk.

    Duke qenë një periudhë gati pesëdhjetë vjeçare qëndrese e lufte midis palëve, autori paraqet në roman me mjeshtëri prej komandanti dhe shkrimtari-kronikan njëkohësisht, tabllo shumë të goditura përleshjesh nga më të ndryshme, por spikatë ndër to sidomos shkathtësia e gardës, të cilën e udhëheq princi Gjin, fq.24-35 …”Vendin e breshërive të gurta e pati shiu vdekjeprurës i qindra  shigjetave të lëshuara prej harkëtarëve shqiptarë…”.”… Turqit i qenë turrur Ballkanit  me hovin e atyre lumenjve malorë në lukth të dimrit…”. Gjini e kuptonte se lufta me ta (turqit) do të vazhdonte gjatë” Si udhëheqës me përvojë e kishte të qartë  se nuk duhej të viheshin forcat e tij midis dy zjarreve, mes turqeve nga njëra anë dhe serbëve dhe grekërve nga ana tjetër… “.”Ujdhesa  kishte mbetur pa mbrojtje…Atje shqiptarët kishin mbetur si në gojë të ujkut…”. Shkrimtari është realist. Përshkruan me hollësi edhe disa prej dështimeve në fushën e betejes, por nënvizon edhe shkaqe që çuan në një përfundim dramatik.
   Edhe në kushte të vështira lufte e pasigurie, jeta  shoqërore vazhdon. Martesat e vajzave të Gjinit, dasmat dhe më vonë lindja e djemve përshkruhën me bukurinë tradicionale shqiptare.” Të më bëhet plak me mjekërr të bardhë dhe të ma mbush sofrën plot me kolopuç,” uron Gjin Bue Shpata Gjon Gjenevishin për djalin, të cilit i vunë emrin Arbër.

Në këto çaste gëzimi sikur kishin hedhur prapa krahëve mëritë, konfliktet mes princërve shqiptarë si Karl Topia,  Muzaka, Zaharia,  Dukagjini, Komnen  e tj. dhe kishin fituar miqësitë, krushqitë. Këtu Gjin Bue Shpata luante rolin e gurit të peshorës. Qëllimi ishte zbutja e, mundësisht, zgjidhja e tyre, për të arritur drejt bashkimit, çka përbënte synimin kryesor të shfrytëzimit të rasteve të ndryshme.
Lufta dhe paqeja shpesh ndërronin vend. Dy princat shqiptarë me ushtritë e tyre sulmuan kalanë e Janinës. Ajo ishte shqiptare e duhej t`u kthehej shqiptarëve. Përleshjet vazhduan disa  javë. Mbroheshin serbë e grekë brënda në kala. Humbjet qenë të ndjeshme. Lajmi erdhi se një ushtri e madhe turke po mësynte drejt Janinës. Forcat epirote me princat e tyre tërhiqen nga beteja. Një rrezik edhe më i madh po i kërkcnohej vendit. Bashkë me serbët dhe grekët ata do të mësynin kalanë e Gjirokatrës dhe të Artës… Duhej përgatitur…

 Vetëm mendja dhe dora e një krijuesi të fjalës artistike, që jeton me shpirt mes luftëtarëve mbrojtës të kalasë së Gjirokastrës, mund të shkruajë kaq dhimbëshëm:”…Kur u afruan pranë portës, mbi mbrojtësit e tyre fluturoi breshëria e shigjetave, gurët dhe zifti përvëlues…Herë ulërimat e ushtarëve që vritëshin e digjeshin të gjallë mbytnin zhurmimin e kokëdashëve e herë  gjëmimët e kokëdashëve mbysnin klithmat e të plagosurve apo rënkimet e tyre që jepnin shpirt…”. “Aq shumë  të vrarë kishte mbi tokë, saqë të vdekurit pëngonin të gjallët që të lëviznin…”,(fq.193-195). Sulmi i kolacionit armik serbë e grekë dështoi. Ata u tërhoqën drejt Janinës, por rrugës kryen masakra çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme shqiptare,.

    Gjysëm shekulli luftë, qëndresë e përballje me pushtues të shumtë Gjin Bue Shpata nuk pushoi së rreshturi për çlirimin e trojeve shqiptare edhe  bashkimin e princërve shqiptare për të krijuar një beslidhje me qëllim që t`i bënin ballë osmanëve, por edhe serbëve dhe grekërve pushtues. Një përshkrim i përsosur i mbushur nga dhimbja e pikëllimi bën autori për ditën e varrimt të këtij princi të shquar , ku marrin pjesë pothuaj të gjithë princat shqiptarë Veri e Jug. Edhe këtë ditë të gjithë  shprehën dëshirën me fjalët:”U realizoftë ëndrrra për të cilën jetove e luftove…o princi ynë i madh Gjin Bue Shpata! Ëndrra mbeti e tillë edhe për shumë kohë e bile shekuj, ndaj Iliria iu nënshtrua pushtimeve të kolacioni armiqesh të Ballkanit e më tej edhe të Azisë.
Është një vepër e shkruar me ndjenjë të thellë atdhedashurie. I jep lexuesit një informacion të gjerë edhe historik për Shqipërinë e Jugut në vitet 1350-1400.Të ngjallë emocione të forta. Megjithëse ngjarjet shpesh janë  të hidhura, lëxuesi nuk bie moralisht, por forcohet dhe kupton se ilaçi më i sigurt për të fituar lirinë e humbur dhe për ta mbrojtur atë është bashkimi gjithë shqiptar. Romani ka  240 faqe, ndaj  lexohet shpejt, sepse edhe fjalitë janë të ndërtuara të shkurtëra e të plota në mendim. Ngjyrimi artistik e bën shumë tërheqës. Edukon dashurinë për atdhe. Bën thirrje për bashkim e mirëkuptim midis shqiptarëve.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?