Kosova & Rajoni

‘Rikthehet’ ekstremisti serb, Sheshel kërcënon Kroacinë: Nëse ndërtoni bazë ushtarake në Kosovë, do ta sulmojmë me raketa

8 Maj 2021, 22:35| Përditesimi: 8 Maj 2021, 22:36

  • Share

Shtimi i forcave kroate në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe keq lajmi i dhënë në media se ministri i Jashtëm kroat Radman ka folur për ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë për stabilitet të rajonit, ka acaruar jo vetëm presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por edhe liderin e radikalëve serbë, kriminelin e luftës Vojislav Sheshel.

Sheshel ka deklaruar për mediat serbe se “kroatët po duan të ndërtojnë bazë ushtarake në shtetin e ‘rremë’ të Kosovës, në mënyrë që t’u japin instruksione që serbëve në Kosovë  t’ua bëjnë atë që ua kanë bërë serbëve në Republikën Srpska dhe në Krainë [Kroaci]”.

“Kroatët duhet të paralajmërohen se ajo që po bëjnë nuk është e ligjshme. Ushtarë legalë në Kosovë, kur janë ndërkombëtarë, janë vetëm ata që dërgohen në kuadër të KFOR-it, kurse ata që shkojnë jashtë KFOR-it dhe që bëjnë një bazë të veçantë kroate, për neve kanë statusin e një skuadre banditësh”, ka thënë Sheshel.

Më tej ai ka kërcënuar edhe me sulm raketor ndaj një baze eventuale ushtarake kroate në Kosovë.

“Le të mos habiten nëse një ditë i gjuajmë me raketa dhe shkatërrojmë gjithçka atje, kurse ata që eventualisht do t’i zëmë robër dhe do t’i dënojmë si banditë me burgime të gjata. E drejta ndërkombëtare nuk i mbron ata”, ka thënë Sheshel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë më herët se se Kroacia po “poshtëronte Serbinë” duke rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?